Juventusi ka marrë pikët e plota në shtëpi ndaj Frosinones, disa ditë para ndeshjes në Champions League me Atletico Madridin.

Djelmoshat e Max Allegrit nuk e kanë ndërmend të ndalen.
Në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 24 në Serie A, Juve ka arritur të marrë pikët e plota në shtëpi duke triumfuar 3-0 ndaj Frosinones, në një ndeshje ku lanë gjurmë Dybala e Ronaldo.

Ndeshja nisi siç është më së miri për vendasit.
Dybala, që nuk po kalon një sezon të mirë, ishte titullar në këtë ndeshje dhe shënoi një gol të bukur për 1-0 në minutë e gjashtë, pas një asistimi nga ana e Cristiano Ronaldos.
Disa minuta më vonë, pas sulmeve të njëpasnjëshme, Juve e gjeti edhe golin e dytë.

Ishte qendërmbrojtësi i rikthyer nga lëndimi, Leonardo Bonucci, ai që realizoi për 2-0 në minutën e 17’, me të cilin rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.

Juve dominoi edhe në pjesën e dytë, duke krijuar raste të mira shënimi, por arriti të gjejë vetëm një gol.
Kush tjetër përpos Cristiano Ronaldos, i cili pas asistit për Dybalan, e dërgoi tani vet topin në rrjet, në minutën e 62’, për 3-0, që doli të jetë edhe rezultati përfundimtarë i takimit.

Pas kësaj fitore, Juve ka shkuar në kuotën e 66 pikëve, 14 më shumë se Napoli, që të dielën luan me Torinon.