Ronaldo: Serie A, më e vështirë për sulmuesit sesa La Liga e Premierliga

Ylli portugez i Juventusit, Cristiano Ronaldo, pretendon se Serie A është liga më e vështirë për sulmuesit, pasi që në Itali është më e vështirë të shënosh gola, sesa në La Liga e në Premierligë.

Marketing

Ronaldo u largua nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, kur u transferua në Juventus për 117 milionë euro. Në Madrid, Ronaldo i kishte fituar katër tituj të Ligës së Kampionëve brenda pesë sezoneve të fundit, transmeton Gazeta Express.

Edhe pse Ronaldo e ka nisur mjaft mirë karrierën në Serie A, duke i shënuar 19 gola, ai nuk ka arritur të jetë po kaq mbresëlënës edhe në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, pasi që deri më tani e ka shënuar vetëm një gol.

Megjithatë, Ronaldo pretendon se liga italiane është më e vështira për sulmuesit, pasi që klubet italiane e kanë prioritet mbrojtjen dhe nuk rrezikojnë duke lënë hapësira gjatë ndeshjes.

“Baraspesha është shumë pozitive. Ndihem mirë në nivelin individual. Ndihem se jam përshtatur me ligën italiane. Sipas mendimit tim, kjo është liga më e vështirë për sulmuesit, është një ligë me shumë cilësi. Nuk prisja që liga italiane të ketë këtë nivel të cilësisë”, ka thënë Ronaldo.

“Sipas mendimit tim, është më vështirë të shënosh në Itali sesa në Spanjë, sepse atje liga është më e hapur dhe ekipet rrezikojnë shumë. Ndërsa këtu, prioriteti është të mbrohesh mirë e pastaj të sulmosh. Unë kam luajtur dhe në Angli, por është më vështirë të shënosh në Itali”.

Ronaldo kishte qenë pjesë e skuadrës së Manchester Unitedit gjatë viteve 2003-2009. Sir Alex Fergusoni kishte vendosur ta transferonte Ronaldon në Old Trafford, pasi e kishte parë se si luante ai në Portugali.

Marketing