Vendi i 18-të në provat zyrtare në pistën e Aragon është një rezultat zhgënjyes për 9 herë kampionin e botës në garat e motoçiklizmit, Valentino Rossi, që do ta nisë nesër garën nga vija e gjashtë. “Sot provuam disa gjëra të reja, që nuk dhanë asnjë rezultat, përkundrazi gjërat u përkeqësuan edhe më shumë. Të shohim nëse mund të ndryshojmë ndonjë gjë për garën, për të qenë disi më kompetitivë. Do të jetë një garë e ndërlikuar për mua, por kam ardhur për të dueluar dhe do ta kryej këtë gjë deri në fund”, tha Rossi.

Kjo fundjavë nisi keq dhe po vazhdon gjithnjë e më keq. Madje edhe u rrëzova. Isha vazhdimisht i avashtë gjatë gjithë kohës, në të gjitha sesionet dhe çdo ndryshim që provonim nuk arrinte të bënte diferencën. Garë pas gare mendoj se çfarëdo që bëjmë asgjë nuk ndryshon”, tha më tej piloti italian i Yamaha.

Duke menduar për garën tha: “Ne hasëm vështirësi në një pistë të përshtatshme për ne si ajo e Misanos, ndaj nuk pres që të jemi më mirë këtu në Aragon, ku kemi vuajtur gjithnjë. Të shohim se si do të shkojnë gjërat ditën e diel edhe pse nuk pres shumë. Të garosh në këto kushte është e vështirë. Çdo gjë që bëjmë nuk shërben më për asgjë”, deklaron i dorëzuar Rossi.