Rrahmani i lumtur me fitoren e parë të Veronës në shtëpi

Amir Rrahmani është shprehur i lumtur që ka mundur t’i ndihmojë Hellas Veronës ta arrijë fitoren e parë në shtëpi në Serie A këtë sezon.

Marketing

Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Kosovës Rrahmani ishte titullar i padiskutueshëm në fitoren e Veronës 2:0 kundër Sampdorias të shtunën në stadiumin Marc’Antonio Bentegodi, duke i ndihmuar verdhekaltërve ta ruajnë të paprekur portën për herë të tretë deri tani këtë sezon në ligë.

Goli i hershëm i qendërmbrojtësit të Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla, dhe autogoli i Nicola Murru i mjaftuan Veronës ta regjistrojnë fitoren e dytë pas shtatë ndeshjeve të para në ligën elitare italiane.

Rrahmani, i cili e ka luajtur çdo minutë për Veronën këtë fillim sezon pas transferimit në verë nga Dinamo Zagreb, e ka pranuar se tri pikët ndaj Samp ishin shumë të rëndësishme për skuadrën e tij, e cila falë tyre i ikën zonës së rënies nga liga.

Verona tani grumbullon nëntë pikë në vendin e nëntë.

“Fitore e madhe, tri pikë të mëdha”, shkroi Rrahmani në Instagram.

Pas kësaj ndeshjeje, 25-vjeçari nga Prishtina do të udhëtojë drejt Kosovës për t’iu bashkuar Kombëtares dardane të hënën, për dy ndeshjet e tetorit.

Më 10 tetor, Kosova e pret Gjibraltarin në një ndeshje miqësore, para se të jetë nikoqire e Malit të Zi në stadiumin Fadil Vokrri, në një ndeshje shumë të rëndësishme kualifikuese për Euro 2020.

Rrahmani do të shpresojë ta bartë formën e mirë me ekipin edhe në Kombëtaren e Kosovës.

Marketing