Rreth 50 infermiere kërkojnë punë

Me muaj të tërë, infermieret e klinikave private që janë mbyllur po kërkojnë të punësohen në instutucione shëndetësore publike. Megjithatë deri më tani ato thonë se nuk kanë marrë asgjë përveç premtimeve të ministrit të Shëndetësisë se statusi i tyre do të rregullohet me ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për mbrojtje shëndetësore.

Durimi i infermiereve po merr fund, thotë përfaqësuesja e tyre Gordana Beshliovska, andaj thirrja e radhës për zgjidhje konkrete do të bëhet përpara Ministrisë së Shëndetësisë.

“Kjo në formë të kërkesës direkte që të kemi diçka të argumentuar dhe që të ndodhë diçka edhe në praktikë. Ne tashmë 6 muaj e marrim përgjigjen e njëjtë. Se ligji është në procedurë dhe nuk kemi asgjë nga kjo. Thënë popullorçe karvani ecën, infermieret mbeten në rrugë dhe s’kemi asnjë përmirësim”, tha Gordana Beshliovska, Koordinatore e shoqatës së Infermiereve.

Edhe sot nga Ministria e Shëndetësisë përsërisin qëndrimin se ndryshimet ligjore janë në procedurë kuvendore.

“Qeveria ka miratuar ndryshimet e Ligjit për mbrojtje shëndetësor, duke lënë mundësi që të merren të punësuarit në shëndetësi me arsimim të lartë, stomatologët dhe farmacistët nga institucionet private shëndetësore në ato publike, pa shpallur konkurs. Në këtë mënyrë do të plotësohen vendet e lira pune, me procedura më të shkurta”, u shprehën nga Ministria e Shëndetësisë.

Janë 47 infermiere që kanë mbetur pa punë, ndërsa numri i tyre sa vjen e rritet thonë nga Shoqata e infermiereve. Mes katër rrugëve ato mbetën për shkak se spitali apo klinika ku kanë punuar është mbyllur, si pasojë e falimentimit, pensionimit ose vdekjes së mjekut. Tani ato kërkojnë që të rikthehen në sektorin publik.

evn