Rreth 66 mijë euro për mirëmbajtjen e sistemit AKMIS

Mirëmbajtja e sistemit elektronik AKMIS në gjykatat në vend do të kushtojë 66 mijë euro. Gjykata Supreme nënshkroi marrëveshje me kompaninë Neocom nga Shkupi. 52 mijë euro do të shpenzohen për mirëmbajtjen harduerike të sistemit, ndërsa 14 mijë euro do të shpenzohen për infrastrukturën e sistemit.

Marketing

Sipas kontratës së publikuar të Byrosë së Prokurimit Publik, kompania do të fillojë mirëmbajtjen e AKMIS nga 1 gushti i këtij viti deri në 1 gusht të vitit të ardhshëm. Në tenderin e shpallur nga Gjykata Supreme, kishte vetëm një ofertë, ajo e Neocom-it.

Sistemi AKMIS i zbatuar nëpër gjykata duhet të sigurojë shpërndarjen elektronike të lëndëve pa ndikimin e faktorit njerëzor.

Megjithatë, ish-kryetari i Penales, Vladimir Pançevski, u dënua me tre vjet e gjysmë burg për abuzime të këtij sistemi, donacion nga USAID. Gjykimi përfundoi shumë shpejtë vetëm me disa seanca, pasi që paraprakisht Pançevski nuk vinte në seancat në gjykatën në Veles për nëntë muaj.

Por katër ditë më parë në një gjykim maratonë, ai u dënua për manipulim të sistemit AKMIS. Sipas aktakuzës, përderisa ka qenë kryetar i Penales, në vend të mënyrës elektronike, ai ka shpërndarë 40 raste për gjykatësit që ai i konsideronte të besueshëm. Rastet i ka ndarë në dorë ndërsa lëndët i ka nënshkruar personalisht. Avokatët e tij paralajmëruan se do të dorëzojnë ankesë para Gjykatës së Apelit, sepse besojnë se me këtë proces janë shkelur të drejtat e njeriut.

Sidoqoftë, lavdërim për aktgjykimin e gjykatës së Veles erdhi nga Ambasada e SHBA-ve, duke vlerësuar se është një hap pozitiv përpara në kërkimin e përgjegjësisë për ata që akuzohen për rrënimin e pavarësisë gjyqësore.

Marketing