Rreth një mijë kërkesa për shtetësi shqyrtohen në MPB

Fitimi i shtetësisë çdoherë ka paraqitur problem për shqiptarët në Maqedoni. Me një sfidë të tillë për gati 30 vite me radhë ballafaqohet edhe Ramadan Luta nga Shkupi. Ndonëse i lindur dhe i rritur në Shkup, ai ende llogaritet si i huaj në shtëpinë e vet. Autoritet shtetërore të Maqedonisë të Veriut deri më tani nuk i kanë marrë parasysh faktet dhe gjendjen faktike se Luta, është rritur, ka punuar dhe ka krijuar familje në Shkup, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Qasja diskriminuese e institucioneve vendase, me theks të posaçëm të Ministrisë për Punë të Brendshme, siç thotë Luta, shtohet edhe më tepër kur ato i kërkojnë që aplikimin për shtetësi ta bën vetëm në bazë të lidhjes martesore.

“Fatkeqësisht është e pakuptueshme që e vetmja rrugë që më është lënë për të fituar shtetësinë është martesa me një shtetase të Maqedonisë (i martuar për 35 vite). Ky kriter është i pavend. Nuk e kam të qartë pse duhet që unë të kërkoj shtetësinë në këtë mënyrë, kur të e njëjta më takon në bazë të lindjes. Sinqerisht kjo është e tepërt”, shprehet Luta, banor i lagjes Serava të Shkupit.

Përpjekjet e Ramadan Lutës për të fituar shtetësinë e tij fillojnë disa vite pas pavarësimit të vendit tonë. Mirëpo, nënçmimi, ofendimet dhe provokimet e shpeshta e kanë shtyre atë që gjatë viteve të 90-ta, të tërhiqet nga kërkesa për shtetësisë.

“Problemi kryesore ishte se unë jam shqiptar. Këtë në sy ma kanë thënë përgjegjësitë e institucioneve. Pastaj problem shtesë ishte pse unë prindërit me prejardhjen i kam nga Kaçaniku i Kosovë. Në mesin e familjes jam i vetmi që nuk kam shtetësi. Fëmijët, bashkëshortja dhe të afërmit tjerë të gjitha kanë shtetësi. Një tentim tjetër për të fituar shtetësinë ishte viti 2004. Disa shok më bindën që ti përpi të gjitha ofendimet dhe nënçmimet. Kështu edhe bëra. Fitova letërnjoftim dhe pasaportë për të huaj, por me një kusht që në ato dokumente të figurojë se unë jam nga Serbia dhe Mali i Zi. Këtë provokim e durova deri në vitin 2007, kur edhe u dorëzova”, thekson për KOHA, Luta.

Tashmë katër vite me radhë, Ramadan Luta procedurën e fitimit të shtetësisë e zhvillon para zyrës së Avokatit të Popullit. Ai ndonëse shprehet optimist se të drejtën e shtetësisë do ta fitoj, nuk e ka qartë se si mundet disa sektorë të MPB-së, të njohur për shkeljet e shumta ligjore, të vendosin për fatin e mijëra qytetarëve, përfshi dhe fatin e tij.

“Unë jam i hapur për çfarëdo debati dhe me cilido qoftë. Le ta shkruajnë atë që e mendojnë. Megjithatë, nuk e kam të qartë se si është mundur që një sektor si ajo e farë Drejtorisë së Pestë, të japin pëlqimin për fitimin e shtetësisë, kur të njëjtit futen në Parlament dhe kryejnë tentim vrasje të deputetëve. Ndërkohë duhet të japin vlerësim se a duhet të më pranojnë mua në shtetin ku ka lindur apo jo. Kjo është një paradoks”, thekson Luta.

Njëherit, Luta nuk është i vetmi i cili vite me radhë përballet me problemin e fitimin të shtetësisë. Një hall të tillë e ka edhe motra e Hyseinit nga lagja Shuto Orizare e Shkupit. Sipas tij, institucionet e Maqedonisë duhet ti respektojnë të drejtat e njeriut, respektivisht të drejtat dhe liritë e njeriut që burojnë nga Konventat Ndërkombëtare.

“Motra ime për 18 vite nuk ka shtetësi. Ajo është refugjat nga Kosova, atje ishte e martuar. Megjithatë, ja ende s’ka shtetësi. Djemtë nuk kujdesen për të. Tash jeton me mua”, deklaron Hyseini. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, kur flet për çështjen e të drejtës së shtetësisë, thotë se bëhet fjalë për një problem shumë dimensional-institucional. Ai, thotë se partia e tij BDI, këtë problematikë e ka trajtuar me seriozitetin më të lartë.

“Viteve të fundit për sa unë jam në këtë dikaster, së bashku me ministrin Oliver Spasovski, e kemi urdhëruar Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim të bëjë ripërtrirjen e udhëzimeve administrative, me qëllim që procedura për dhënien e shtetësive, (ku kishte më tepër ngecje) të bëhet në mënyrë më efikase dhe më të shpejtë. Pa pasur hile dhe diskriminim. Rezultat e këtyre intervenimeve në kuadrin e akteve nën ligjore janë të dukshme. Vetëm viteve të fundit janë dhënë tre mijë shtetësi qytetarëve shqiptar”, thotë për KOHA, zëvendësministri Nuhiu.

Mes tjerash Nuhiu, shton se në kuadër të subjektit politik që ai i takon është diskutuar se duhet të bëhet intervenimi në Ligjin për shtetësi, ngjashëm si në vitin 2004, me qëllim që qytetarët që kanë fakte dhe rrethana të cilat mund ti dëshmojnë lidhjet juridike me sovranitetin e shtetit, përmes faturës apo ndonjë certifikatë të karakterit publik të arrijnë deri te shtetësia. Në kohë kur nga MPB, thonë se janë bërë intervenime në disa udhëzime administrative të DSK-së, për fitimin e shtetësisë, Avokati i Popullit, për gazetën KOHA, thotë se DSK-ja është njëra ndër pengesat kryesore sepse shumë qytetarë nuk arrijnë të fitojnë shtetësinë. Zyrat e Ombudsmanit, është institucioni i dytë në shtet i cili i trajton dhe shqyrton ankesat dhe parashtresat e qytetarëve për fitimin e shtetësisë.

“Breng e jona është që ende kemi qytetar që me prejardhje janë nga ish-Republikat e Jugosllavisë, të cilët edhe kësaj ditë nuk kanë arritur të rregullojnë statusin e shtetësisë. Kemi mjaftë ankesa. Shqetësuese është ajo që përsëritet gjatë viteve e që lidhet me punën e DSK-së. Ajo jep qëndrime (vendime) të njëanshme dhe të njëjtat nuk i arsyeton. Në të shumtën e rasteve ajo e informon MPB se jep mendim negativ për një person të caktuar. Ndërkohë nuk e arsyeton atë.

Kjo është e palejueshme”, thotë ombudsmani Ixhet Memeti. Sipas të dhënave statistikore të MPB, për momentin janë duke u shqyrtuar rreth 1 mijë kërkesa për fitimin e shtetësisë, duke mos bërë dallime në baza etnike. Ndërkohë para zyrës së Avokatit të Popullit, brenda një viti dorëzohen mes 50 dhe 70 parashtresa për shkelje të të drejtës për shtetësisë. (koha.mk)

Marketing