Rrezikohet pozita e Kroosit në Real Madrid

Toni Kroos është duke e kaluar periudhën e tij më të keqe me Real Madridin. Mesfushori gjerman ka qenë larg formës së tij më të mirë këtë sezon, madje duke u bërë subjekt i shumë kritikave, të cilat kanë ndikuar negativisht në vetëbesimin e tij.

Marketing

Kritikat nuk kanë ardhur të gjitha nga jashtë klubit dhe trajneri Santiago Solari, me fjalët dhe veprat e tij, ka ndikuar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë që Kroosi të marrë edhe më shumë kritika, transmeton Gazeta Express.
Kroosi u zëvendësua i pari në ndeshjen kundër Levantes, kur rezultati ishte 1:1, me Federico Valverde që u inkuadrua në ndeshje, në vend të tij. E ënjta gjë ndodhi edhe në ndeshjen kundër Barcelonës, kur gjermani u largua nga ndeshja në minutën e 55-të.

Solari nuk i kushtoi aspak rëndësi Kroosit, i cili dukej mjaft i pakënaqur, në momentin kur u largua nga ndeshja. Mediat spanjolle raportuan se ai e bëri këtë gjë për ta shmangur mundësinë që Kroosi ta injorojë.

Kundër Barcelonës, mesfushori gjerman ishte pothuajse i pavërejtshëm në fushën e lojës. Për këtë arsye, ai mori shumë kritika. Njëra ndër kritikat që mori më së shumti jehonë ishte ajo e Bernd Schusten, i cili e krahasoi me një traktor.
Ky është sezoni i pestë i Kroosit me Real Madridit dhe paraqitjet e talenti i tij janë vënë në dyshim këtë sezon si kurrë më parë. Solari nuk u shpreh i penduar që e zëvendësoi Kroosin as në konferencën për shtyp.

“Lojtarët e rinj janë duke punuar shumë dhe futbolli është kështu. Me Valverden, ne po kërkonim të sjellim më shumë freski në lojë. Njerëzit duan të shohin më shumë lojtarë të rinj, është pjesë e historisë së klubit”, kishte thënë Solari.

“Ne tentuam të shënojmë në çdo mënyrë të mundshme. Nuk u dorëzuam asnjëherë. Mendoj se bëmë gjithçka që patëm mundësi, vetëm duhej t’i kishin konkretizuar rastet në gola”.

Marketing