Rrëzimi i qeverisë e shpie Kosovën në një situatë të vështirë, thotë një zëdhënëse e KE-së

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero, përmes një postimi në rrejtin social Twitter, tha se rrëzimi i qeverisë e shpie Kosovën në një situatë të vështirë politike në kohën e përballjes me koronavirusin.

Marketing

Ajo bëri thirrje që liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi në interesin e popullit.

“Ajo cfarë i duhet Kosovës është stabilitet dhe përpjekje për të luftuar koronavirusin dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Hapat tjerë pas votës së mosbesimit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës më 25 mars me shumicë votash miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Mocioni u paraqit me iniciativën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shkas për këtë, sipas zyrtarëve të LDK-së, ishin mospajtimet mes partnerëve të koalicionit për shfuqizimin e tarifës ndaj mallrave serbe dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut nga ana e kryeministrit Kurti.

LDK-ja kërkonte shfuqizimin e plotë të tarifës, ndërkaq kryeministri Kurti filloi shfuqizimin gradual të saj, dhe theksonte se do të vendoste masën e reciprocitetit të plotë tregtar dhe politik me Serbinë.

Kurti e shkarkoi nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu nga pozita e ministrit, pasi ai mbështeti propozimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.

Marketing