Rrëzimi i urës Morandi, mbyllen hetimet

Prokurorët italianë përfunduan hetimet për shembjen e urës Morandi në vitin 2018 dhe po përgatisin ngritjen e akuzës ndaj 69 ish-punonjësve të kompanisë së mirëmbajtjes Atlantia si dhe ndaj zyrtarëve të administratës.

Ura e menaxhuar nga Atlantia, pjesë e grupit “Autostrade per l’Italia” u rrëzua më 14 gusht 2018, duke vrarë 43 vetë dhe nxjerrë në pah problemet e Italisë me infrastrukturën e vjetërsuar.

Hetimi zgjati gati tre vjet, gjatë të cilit u kryen dy simulime, një mbi rezistencën e urës autostradë dhe një tjetër mbi shkaqet reale të shembjes.

Marketing

Prokurorët ndoqën pistën e keqmanexhimit të fondeve publike të dedikuara për mirëmbajtjen dhe shpërdorimin e detyrës nga Ministria e Transportit, duke mos marrë asnjë masë për riparimin e saj.

Nga tragjedia, lindën linja të tjera hetimi që hodhën dritë mbi mënyrën e menaxhmentit të kompanive që mirëmbajnë veprat e infrastrukturës. Hetimet zbuluan kursimet maksimale në mirëmbajtje për të garantuar dividentë të lartë për aksionarët.

Prokurori ka hapur hetim edhe për raportet e rreme mbi qëndrueshmërinë e urës Morandi, por edhe për vepra të tjera të rëndësishme të infrastrukturës. Firmat Atlantia, “Autostrade per l’Italia” dhe Spea refuzuan të gjitha të komentojnë pasi u pyetën nga agjencia Reuters.

Sipas ligjit italian, sapo përfundon një hetim, të dyshuarit kanë tre javë kohë për të kundërshtuar gjetjet. Pas kësaj prokurorët mund t’i kërkojnë gjykatës ngritjen e akuzave ose arkivimin e çështjes.

Marketing