Rrëzimi me biçikletë ia shpëton jetën djaloshit anglez që kishte kancer në testikuj

Kur Ashley Mellon u rrëzua me biçikletë përderisa po shkonte në punë, ai nuk “fitoi” vetëm lëndime, por edhe një diagnozë të hershme të kancerit, e cila ia shpëtoi jetën.

Marketing

Disa javë para rrëzimit me biçikletë, djaloshi 26-vjeçar e kishte vërejtur një gungë në testikul, por mjeku familjar i kishte thënë se ajo nuk është diçka serioze. Sidoqoftë, pas aksidentit me biçikletë, stafi mjekësor ia bëri disa teste shtesë, me ç’rast u zbulua se ai vuan nga kanceri në testikuj.

Zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje ia mundësoi atij trajtimin para se të bëhej shumë vonë. Pak kohë pas përfundimit të kemoterapisë, gruaja e tij mbeti shtatzënë. “Ardhja në jetë e djalit tim ishte një moment i mrekullueshëm. Ndihem me fat që jam bërë baba. Nuk e dija nëse kjo do të bëhej e mundur pas tërë trajtimit me kemoterapi”, tha Mellon.

“Rrëzimi me biçikletë ma shpëtoi jetën sepse ky aksident më shtyri të bëj teste shtesë dhe sëmundja u diagnostifikua. Nëse nuk do të trajtohesha me kohë, ka mundur të jetë një tregim tjetër”, shtoi ai. Mjekët e kishin zbuluar kancerin përmes ultrazërit, ia kishin larguar tumorin me ndërhyrje kirurgjike, ndërsa Mellon më pas iu nënshtrua trajtimit me kemoterapi.

Rreth 2200 burra diagnostifikohen me kancer në testikuj çdo vit në Britani të Madhe. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 98 për qind e tyre jetojnë më gjatë se pesë vjet pas diagnostifikimit me këtë sëmundje, shkruan “Daily Mail”