Rreziqet shëndetësore për stafin mjekësor që vuan nga pagjumësia

Stafi mjekësor që trajton pacientët e Covid-19 dhe që përjeton pagjumësi, përballet me rreziqe shëndetësore afatgjata, paralajmërojnë studiuesit.

Marketing

Më shumë se një e treta e stafit mjekësor që shërbyen nëpër spitale gjatë pikut të koronavirusit në Kinë dhe që morën pjesë në studim, ka vuajtur nga pagjumësia, sipas studimit, botuar në ‘Frontiers in Psychiatry’.

Punëtorët e kujdesit shëndetësor që nuk bëjnë më rregullisht gjumë të mire, gjithashtu kishin më shumë të ngjarë të ndjeheshin depresiv, në ankth dhe kishin trauma të bazuara në stres, sipas gazetës.

‘Nëpërgjithësi, pagjumësia e lidhur me stresin është kalimtare dhe vazhdon vetëm për disa ditë,’- tha doktor Bin Zhang, një profesor në Universitetin e Mjekësisë Jugore në Guangzhou, Kinë, dhe bashkëautor i studimit.

‘Por nëse shpërthimi i Covid-19 vazhdon, pagjumësia gradualisht mund të kthehet në pagjumësi kronike,’-shtoi ai. Studimi u krye midis 29 janarit dhe 3 shkurtit, gjatë pikut të pandemisë në Kinë.

Studiuesit përdorën platformën e mediave sociale, WeChat për të mbledhur përgjigje nga 1.563 pjesëmarrës në fushën mjekësore. Më shumë se 36 % e të anketuarve kishin simptoma pagjumësie, që ishte në përputhje me studimet e mëparshme të bëra mbi efektet psikologjike të shpërthimit të Sars në 2002.

Mjekët dhe infermierët që vuanin nga pagjumësia gjatë shpërthimit të Covid-19, përjetuan nivele më të larta depresioni sesa grupi që nuk vuante- 87,1 % kundrejt 31 %- me rezultate të ngjashme për ankthin dhe traumën.

Studiuesit identifikuan disa faktorë të lidhur me pagjumësinë. ‘Faktori më i rëndësishëm ishte pasiguria shumë e fortë në lidhje me kontrollin efektiv të sëmundjes, midis personelit mjekësor,’- tha Zhang.

Stafi me më pak arsimim ishte gjithashtu më i prirur për ç’rregullim të gjumit. Rreziku i pagjumësisë në mesin e personelit mjekësor me arsim të lartë ishte 2.69 herë më i lartë se i atyre me doktoraturë.

Studiuesit thanë që punonjësit e kujdesit shëndetësor ishin gjithashtu nën një stres të jashtëzakonshëm pasi kanë mbajtur veshur pajisje mbrojtëse personale (PPE), për më shumë se 12 orë, shpesh pa mundur të bëjnë pushim sepse rrezikonin infeksionin.

Autorët rekomanduan disa strategji për të kapërcyer ç’rregullimet e gjumit, duke përfshirë anashkalimin e mendimeve negative dhe terapinë e sjelljes për pagjumësinë, e cila përfshin edukimin e higjenës së gjumit, terapinë e relaksimit, kontrollin e stimulimit dhe kufizimin e gjumit.

Marketing