Vetëm dy agjenci të sigurimit në vend kanë më shumë se 300 të punësuar me licenca. Lidhur me paraqitjen përfundimtare të ofertave për sigurimin fizik të Qeverisë dhe 40 objekte të tjera shtetërore, një nga kushtet kryesore në tenderin me vlerë 2.6 milionë euro është se Agjencitë të paktën të kenë 350 persona me licenca.

Dhoma e sigurimit privat nuk zbuloi se për cilat agjenci bëhet fjalë. Zyrtarisht anëtarë të Dhomës janë 50 agjenci, por vetëm dy i plotësojnë kriteret kyçe të përcaktuar nga Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta për biznesin milionësh.

Që në dialogun teknik me kompanitë, shërbimi fillimisht caktoi një kriter të lartë – agjencitë që do të aplikojnë në këtë tender të kenë 500 persona të licencuar. Këtë kusht përsëri e kanë plotësuar vetëm dy agjenci.

Pas vërejtjeve, Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta bëri korrigjim dhe nga 500, kërkesa u zvogëlua në 350, edhe pse në tender theksohet se u nevojiten vetëm 157 persona të sigurimit. Disa nga agjencitë e sigurisë si problem e theksojnë kriterin që agjencia të ketë 70 copë armë që gjithashtu ndikojnë në përzgjedhjen.

Sigurimi tre vjeçar i qeverisë dhe objekteve tjera shtetërore përfundon më 31 gusht. Në vitin 2015, kompania Sekjurikom e fitoi tenderin. Nga qeveria edhe sot sigurojnë se nuk do të ketë vakum në sigurimin e objekteve shtetërore. Megjithatë, nuk ka përgjigje të saktë se çfarë lloj plani kanë – nëse do të nënshkruajnë aneks me Sekjurikom derisa zgjatë procedura e tenderit ose do të shkojnë në një kontratë në katër sy me ndonjë agjenci tjetër derisa procesi të përfundojë. Agjencitë ofertat duhet t’i dorëzojnë më 3 shtator.

Përveç kontratës për ruajtjen fizike të qeverisë, në fund të muajit përfundon edhe kontrata për pastrimin dhe mirëmbajtjen teknike të ndërtesës së Qeverisë. Tenderi peshon mbi 6 milionë euro dhe Shërbimi për punë të përgjithshëm dhe të përbashkëta, gjatë dialogut teknik me kompanitë para shpalljes së tenderit ka bërë korrigjime.

Disa nga kompanitë kanë reaguan ndaj vendimit që dyshemetë të pastrohen me makinë T3, një nga kushtet kryesore në dokument. Importues dhe shpërndarës i përgjithshëm i këtij lloji të makinës është një kompani nga Shkupi. Pas reagimit të kompanive të tjera, Qeveria e ka hequr kushtin që favorizonte një kompani të caktuar.