Punëtorët në Maqedoninë e Veriut gjatë pandemisë ankohen së punëdhënësit, veçanërisht ata në sektorin privat, shkelin të drejtat e tyre kur bëhet fjalë për respektimin e masave të qeverisë për frenimin e koronavirusit.

Në adresë të Inspektoratit Shtetëror të Punës, që nga fillimi i pandemisë nga marsi deri më 18 dhjetor të vitit 2020, kanë arritur 5 mijë e 594 parashtresa, prej të cilave 3 mijë e 583 kanë të bëjnë me mosrespektimin e masave të aplikuara nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut me qëllim, frenimin e koronavirusit.

“Ankesat e punëtorëve kryesisht kishin të bënin me mosrespektimin e realizimit të së drejtës që njëri prind të mund të qëndrojë në shtëpi, duke iu referuar masave të qeverisë që njëri prind të kujdeset për fëmijët e moshës deri në 10 vjeç, edhe atë për pengesën e realizimit të kësaj të drejte kemi marrë 623 parashtresa”.

“Ndërkaq, 873 parashtresa kanë të bëjnë me shkeljen e së drejtës që të punësuarit me sëmundje kronike të qëndrojnë në shtëpi. Si dhe 2 mijë e 86 parashtresa kanë të bëjnë me mosrespektimin e të drejtës për punë në përputhje me Ligjin për marrëdhënie pune, përkatësisht Ligjin për siguri gjatë punës”, kanë bërë të ditur nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

Organizatat joqeveritare që në fokus kanë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, thonë se numri i shkeljeve është shumë më i lartë kundrejt denoncimeve të bëra, pasi siç theksojnë ato, një pjesë e madhe e tyre hezitojnë t’i paraqesin shkeljet për shkak të frikës së humbjes së vendit të punës.

“Kriza e pandemisë e ka sjell në gjendje katastrofale pozitën e punëtorëve, shprehje tjetër nuk kam. Punëtorët kanë shumë frikë, pikërisht për shkak të frikës një pjesë shumë e madhe e punëtorëve edhe pasi vërejnë se u shkelen të drejtat, heshtin, nuk i denoncojnë këto raste sepse druajnë se do t’u ndërpritet kontrata e punës, ndërkohë kriza e pandemisë e ka bërë shumë të vështirë gjetjen e një pune të re”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Kristina Ampeva, nga organizata joqeveritare “Glasen Tekstilec” (punëtori i zëshëm i tekstilit) në Shtip.

Ampeva thotë se në momentin që punëtorët filluan t’i denoncojnë rastet e shkeljes së të drejtave të tyre nga 2017-ta e këndej, shënoi rritje paga minimale, filloi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të shtetit për sa i përket realizimit dhe respektimit të të drejtave të punëtorëve, pandemia gjendjen e statusit për sa i përket respektimit të të drejtave të tyre e ka kthyer për pesë vjet prapa.

Ndërkohë, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpanska, ka theksuar se ndihmat financiare si pjesë e katër pakove të masave anti-krizë në fokus kanë pasur mbështetjen dhe ndihmën e kompanive, ruajtjen e vendeve të punës dhe qytetarët, veçanërisht kategoritë më të rrezikuara.

Por, Arben Halili, ligjërues në Universitetin e Tetovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se ndihmat e shtetit përmes 4 pakove anti-krizë në masë të konsiderueshme kanë ndihmuar që sektori i biznesit të mbijetojë, por për të pasur kushte më të mira për punëtorët, duhet të kemi një treg të qëndrueshëm të punës. Një gjë e tillë, sipas Halilit, mund të arrihet vetëm nëpërmjet investimeve kapitale, të cilat duhet t’i vendosë si prioritet qeveria për vitin 2021.

“Mbi të gjitha, do të jetë e patjetërsueshme asistenca e shtetit në kuptimin që fokusi kryesor të vendoset në realizimin e investimeve kapitale, sepse në këtë mënyrë mundësohet angazhimi i një numri më të madh të kompanive, me theks atyre vendore për realizimin e projekteve kapitale dhe sigurisht përmes tyre, edhe të kompanive kontraktuese gjë që do të krijojë një bazë të pranueshme financiare për konsum më të gjerë për realizmin e këtyre projekteve”, thotë Haili.

Ai thekson se përmes stabilizimit të tregut të punës, krijohet mundësi reale që të ulet dhe numri i rasteve të shkeljes së të drejtave të punëtorëve.

Edhe Komiteti i Helsinkit në Shkup ka regjistruar një numër të madh të shkeljes së të drejtave të punëtorëve.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Shkup, Urania Pirovska, thotë për Radion Evropa e Lirë se një pjesë e punëdhënësve kanë tentuar ta anashkalojnë ligjin dhe i kanë detyruar punëtorët të firmosin për ndërprerjen e punës në bazë të marrëveshjeve ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve në mënyrë që të shmangin penaltitë.

“Menjëherë sapo filloi kriza e pandemisë, filloi largimi masiv i punëtorëve nga puna, madje në ato vende ku kishte mundësi, punëdhënësit ndikonin që punëtorët të nënshkruajnë kontrata se largohen me marrëveshje, në këtë mënyrë tentonin t’i shmangeshin Ligjit për marrëdhënie pune”, thekson Pirovska.

Ndryshe, nga Inspektorati Shtetërorë i Punës bëjnë të ditur se nga janari deri në dhjetor të vitit të kaluar, kanë realizuar rreth 30 mijë kontrolle në objektet e ndryshme afariste, me ç’rast në 5 e 300 raste kanë konstatuar parregullsi sa i përket respektimit të të drejtave të punëtorëve./REL