Rritet interesimi për subvencione në Tetovë

Kohëve të fundit është rritur dukshëm interesimi i bujqve tetovarë, sidomos të atyre që kanë nevojë për makineri bujqësore gjegjësisht për të marrë subvencione nga shteti. Rritja vërehet sidomos pas publikimeve të programeve për përkrahjen e bujqve të rinj me makineri bujqësore në vlerë prej 10 mijë euro. Këtë e kanë konfirmuar edhe në Njësinë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë, prej nga theksojnë se çdo ditë ka bujq që për herë të parë regjistrohen, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Sipas tyre, rritja është vërejtur gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Interesimi më i lartë po ashtu i dedikohet edhe disa ndryshimeve që janë bërë për sa i përket moshës së bujqve.“Rritja e bujqve gjatë viti 2018 dhe në fillim të këtij viti është evidente në krahasim me dy vitet e kaluara. Duke patur parasysh se në të kaluarën ku mosha ka qenë fiks prej 18 deri në moshën 40 vjeçare, bujqit nuk kanë mundur të aplikojnë nëse kanë qenë të moshës 38 vjeçar. Tash ky kusht është larguar, dhe personat deri në moshën 40 vjeçare mund të aplikojnë. Prandaj edhe ka një rritje të interesimit në këtë drejtim. Kemi të bëjmë me subvencionet nga IPA fondet dhe nga Zhvillimi rural”, deklaroi drejtori i Njësisë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë, Afrim Sejrani. Nga kjo njësi kanë njoftuar se rritja e numrit të bujqve është shënuar nga viti 2006 deri në vitin 2010. Kurse trendi i zvogëlimit të bujqve, apo atyre që kanë qenë të interesuar për të shfrytëzuar subvencione ka rënë gjatë periudhës prej viti 2015 deri në vitin 2017, dhe kjo për shkak të situatës së përgjithshme politike në vend.

Regjistrimi i bujqve kryhet në këtë njësi rajonale dhe bujqit me vendimin e marrë pastaj aplikojnë nëpër agjenci. Deri më 15 mars është regjistrimi i bujqve ndërsa më 16 mars fillon edhe aplikimi për subvencione. Por nga kjo njësi kanë njoftuar se do të kërkohet që afati përfundimtar që është 31 maj për paraqitje të subvencioneve të vazhdohet edhe më tej për shkak të angazhimeve të bujqve pikërisht në atë periudhë.

“Zakonisht më 15 mars fillon aplikimi për subvencione dhe zgjatë deri në fund të muajit maj. Ne zakonisht parashtrojmë kërkesa që të vazhdohet afati për paraqitjen e subvencioneve për shkak të angazhimeve të bujqve në atë kohë. Ne vlerësojmë se bujqit pikërisht në kohën kur merren me të mbjellat e tyre duhet që të vijnë dhe të paraqesin subvencionet, prandaj kërkojmë që ata të kenë më shumë hapësirë, por kjo do të varet nga Qeveria”, tha për KOHA, Sejrani. Ai ka theksuar se deri më 15 mars qytetarët duhet që të rregullojnë dokumentacionet e tyre nëse eventualisht kanë ndryshime në pronë apo ndryshime tjera që më pas mund të aplikojnë më lehët. Në Tetovë, kryesisht më shumë subvencione marrin bujqit për qumësht, kopshtari, pemëtari, blegtori për tokë të mbjellur dhe kështu me radhë.

Sipas të dhënave, rreth 1600 persona apo bujq tetovarë marrin subvencione për qumësht, kurse numri i përgjithshëm i bujqve në Tetovë që marrin subvencione është rreth 5 mijë. Numri i përgjithshëm i bujqve në Tetovë të regjistruar në regjistrat e kësaj njësie është 10 mijë. Vetëm brenda muajit shkurt janë hapur mbi 40 regjistra të rinj respektivisht janë regjistruar bujq të rinj. (koha.mk)