Nëse vendosim kundër masa, puna do të eskalojë në drejtim të keq dhe më pas, përsëri do të duhet të ulemi të gjejmë zgjidhje, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun kosovar, Behgjet Pacolli në Prishtinë, duke u përqendruar në vendimin e Kosovës për rritjen e doganës për frutat dhe perimet.

Jam i bindur, theksoi Dimitrov, se do ta ndjekim politikën e re evropiane dhe përmes dialogut të shpejtë do ta tejkalojmë këtë çështje.

Sipas tij, në kohën e lidhjes dhe implementimit të Procesit të Berlinit i cili mu këtë e imponon, duhet të eliminohen barrierat.

“Mendoj se vetëm kjo është rruga për mbrojtjen edhe të prodhuesve tanë edhe të prodhuesve tuaj. Mendoj se nuk mund ta mbroni veten nëse e lëndoni fqinjin. Nuk mundet një masë të jetë e mirë për Kosovën, nëse nuk është e mirë për mikun në fqinjësi. Duhet të gjejmë zgjidhje”, potencoi shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov.