Rritja e rrogave,takohen MASh dhe SAShK

Kryeministri, Zoran Zaev, dhe ministri i Arsimit, Arbër Ademi, sot do të takohen me përfaqësuesit e SAShK-ut, në përpjekjen e radhës për dakordim rreth rritjes së pagave në arsim. Nga ekzekutivi janë optimistë se zgjidhje do të gjendet e ajo do të jetë e pranueshme për të dyja palët.
“Unë jam optimist i papërmirësueshëm, nuk dua grevë, nuk dua protesta dhe nuk dua as zëvendësmësimdhënës nëse organizohet grevë dhe nuk dua të gjej mënyra të tjera alternative për organizimin e procesit arsimor. Dallimet janë të vogla dhe besoj se me vullnet dhe qasje konstruktive mund të arrijmë të kemi marrëveshje të gjithëpranueshme”,- tha dje ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
“Unë besoj se do të gjendet zgjidhje mes arsimtarëve, profesorëve të përfaqësuar nga SAShK-u dhe ministrit të Arsimit, të premten kam takim edhe unë bashkë me ta dhe besoj se do të gjejmë zgjidhje dhe kjo është duke iu falënderuar faktit se në buxhet ka resurse nga paratë e qytetarëve pa asnjë denarë hua. Ajo që deri më tani është ofruar tejkalon pagën mesatare, me çka paga më e ulët mesatare në arsim të jetë më e madhe se paga mesatare në shtet”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Marketing

Ministri Ademi premton se trendi i rritjes së pagave do të vazhdojë. Aktualisht qeveria vendos për rritje pagash për të punësuarit në 7 institucione shkencore.“ITShKShM dhe gjashtë institute nacionale shkencore janë përfitues të ngritjes së pagave në nivele historike prej 25 për qind dhe duke përfshirë edhe përvojën e punës me 10 për qind”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
MASh ndërkohë vazhdon negociatat edhe me Sindikatën e pavarur akademike për punësimin e 300 asistentëve, sepse deri më tani disa fakultete funksionojnë pa asnjë asistent të punësuar.