Gjatë vitit të ardhshëm vendi, pritet të arrijë një rritje ekonomike prej 4 deri në 5 përqind. Paralajmërimi vjen nga Ministri i Financave, Fatmir Besimi por me kusht që të mos ketë mbyllje të sërishme si pasojë e virusit korona. Sipas tij pritjet optimiste nuk dëmtojnë askënd por përkundrazi, ato ndikojnë në rritjet e investimeve.

“Pritjet ekonomike janë shumë të rëndësishme në vendimmarrjet ekonomike si në aspekt të investimeve po ashtu edhe rritjes reale. Këto parashikime për ne janë reale në raste se dhe supozimi kryesor është që në periudhën në vijim nuk do të ketë një vale të re të përhapjes së krizës me virusin korona.”, tha Fatmir Besimi, ministër i financave.

Për një rimëkëmbje gjatë vitit të ardhshëm, sipas Besimit , do të ndihmojë edhe pakoja e katër e masave që pritet t’u dal më tepër në ndihmë sektorit real.

“Vetëm në 3 mujorin e fundit kemi BBV ishte me rënie prej 12.7%. Masat përkatëse mendojmë që do të ndikojnë në lehtësimin e krizës dhe rimëkëmbjen nga kjo krizë por edhe të krijojmë një bazë të qëndrueshme për 2021 dhe vitet në vijim.”, tha Besimi.

Kriza ka ulur ndjeshëm të hyrat publike me çka ka zvogëluar edhe BBV-në. Deri në mesin e këtij muaji realizimi i anës së shpenzimeve në buxhet është 68,9 për qind kurse realizimi I të ardhurave është 65,5 për qind.