Rrugëtimi evropian fillon nga Universiteti i Tetovës(Foto)

Në Universitetin e Tetovës, sot zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i angazhuar për
çështje evropiane, Bujar Osmani, para studentëve të universitetit tonë e prezantoi konkursin e shpallur
për zgjedhjen e eseve më të mirë rreth idesë së Bashkimit Evropian, të titulluar: “Me njohuri evropiane deri
në kryeqytetin evropian”.
Gjatë qëndrimit në Universitetin e Tetovës, zëvendëskryeministri Bujar Osmani u prit në takim
nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai tha se me hapjen e bisedimeve me
Bashkimin Evropian komunikimi mes universiteteve dhe Sekretariatit që e drejton do të intensifikohet,
me qëllim të shfrytëzimit të resurseve njerëzore, për t’u përballur me sfidat gjatë procesit të bisedimeve.
“I jam falënderues Universitetit të Tetovës dhe Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ametit, që pranuan të jenë
pjesë e kësaj iniciative. Unë paraprakisht zhvillova edhe një takim me rektorin, ku biseduam edhe për
mundësinë e identifikimit të resurseve njerëzore për kapitujt e ndryshëm, të cilët do t’i hapim me hapjen e
bisedimeve. Janë këto kapituj të sferave ekonomike, të sferave të bujqësisë, të sferave të mjedisit jetësor
dhe do të na duhen shumë njerëz për t’u përballuar me sfidat e këtyre bisedimeve, dhe unë mendoj që
universitetet kanë këto potenciale për t’i identifikuar këta njerëz dhe kur të formohen grupet e punës t’i
kemi në funksion të këtij procesi”, u shpreh zëvendëskryeministri Bujar Osmani.
Ndërsa, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti e falënderoi
zëvendëskryeministrin Bujar Osmani dhe Qeverinë e Maqedonisë për mbështetjen e vazhdueshme që i
japin universitetit tonë, duke u dëshiruar suksese në rrugën e tyre për anëtarësimin e vendit në strukturat
euroatlantike “Në emër të Universitetit të Tetovës dua t’i shpreh falënderime zëvendëskryeministrit Bujar
Osmani dhe Qeverisë së Maqedonisë për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe i japin
universitetit tonë. Sot e kemi këtu zëvendëskryeministrin e angazhuar për çështje evropiane, Bujar
Osmanin, i cili së bashku me Fakultetin Juridik dhe Parlamentin Studentor do të promovojnë një projekt
për studentët, ku merren iniciativa për ngritjen e një ideje, një vizioni për integrimet dhe rrugën e
proceseve euroatlantike. Në emër të universitetit, Qeverisë së Maqedonisë i dëshiroj suksese në misionin
e saj që sa më shpejtë vendi ynë të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian dhe pjesë e NATO-s”, theksoi
Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Pas takimit me rektorin, zëvendëskryeministri Bujar Osmani, gjatë prezantimit të konkursit para
studentëve të UT-së u shpreh se aksioni i Sekretariatit për Çështje Evropiane është në funksion të
riaktivizimit të të gjitha aspekteve shoqërore në pritje të vendimit të madh për fillimin e bisedimeve me
Bashkimin Evropian. “Ky aksion që e kemi quajtur “Nëpërmjet dijes deri te metropola evropiane”, ku ne
kemi hapur një garë të studentëve të shkencave shoqërore të universiteteve shtetërore në Maqedoninë e
Veriut, që nëpërmjet eseve të përshkruajnë njohuritë e tyre mbi idenë evropiane dhe mbi perspektivën
tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Më të mirët do të vlerësohen dhe shpërblehen me një vizitë
studimore në Bruksel, të organizuan nga Sekretariati për Çështje Evropiane, me qëllim që të rinjtë të
përafrojnë me idetë evropiane, por edhe me institucionet e Bashkimit Evropian. Jemi shumë afër fazës
finale për anëtarësim, fazë në të cilën nuk është më çështje se a do të jemi, por kur do jemi anëtar i BE-së
dhe, këta studentë nesër do të jenë bartës të këtyre bisedimeve dhe bartës të proceseve në BE”, tha
zëvendëskryeministri Bujar Osmani.