Rrugëzgjidhja e vetme e rastit “Monstra

Viteve të fundit, hetimi, ndjekja dhe gjykimi i rastit të kobshëm “Monstra” , vrasjes së pesëfishtë të katër djemoshave të rinj, 18 – 21 vjeçarët nga lagja e Shkupit Radishan, Filip Sllavkovski, Aleksandar Naqevski, Cvetanço Ackovski dhe Kire Tërpkovski, si dhe 45 vjeçarit Borçe Stevanovski nga fshati Creshevë, të gjithë të etnitetit maqedonas, është një nga rastet më të debatueshme të drejtësisë, të shfaqura edhe në rrafshin e tensioneve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Paraqet tension në rrafshin e raporteve ndëretnike ngase me procesin gjyqësor të “Monstrës”, filluar në dhjetor të vitit 2012, u ndoqën shumë shqiptare si doraz të vrasjeve. Në qershor të vitit 2014, me vendim të plotfuqishëm, kryes të kësaj vepre penale me kualifikim terrorizëm, u dënuan me burgim të përjetshëm gjashtë shqiptarët, Alil Demiri, Afrim Ismailoviç, Agim Ismailoviç, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta.

Mosfunksionimi i duhur i sistemit gjyqësor, skandali i përgjimeve të paligjshme, ndërhyrja politike në gjyqësor dhe analogjia e tensioneve ndëretnike, si me rastin e “Sopotit”, ku shqiptarët e ndjekur dhe burgosur me vite rradhazi, dolën krejtësisht të pafajshëm, krijuan revolta popullore shqiptare. Reaksion edhe të partive politike, shprehur veçanërisht në fushatat parazgjedhore, me çka ndikuan që Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut, ta kthejë rastin “Monstra” në rigjykim. Rasti ju dha në kompetencë ish Prokurorisë Speciale, për arsye të disa përgjimeve të paligjshme që lidheshin me ngjarjen.

Shkak i një aferë të rrëndë korruptive e kryeprokurores së Prokurorisë Speciale, Katica Janeva, me një prej lëndëve në hetim, zvarritja e disa lëndëve të tjera të speciales, qëllimshëm apo pa qëllim, veçuar ndjeken penale ndaj kupolës së korrupsionit të dekadës së fundit në vend, Nikolla Gruevskit, i cili gjen komoditetin të largohet nga vendi, bashkë me pasurinë e tij, krijuan rrethanat e miratimit të një Ligji të ri për Prokurorinë Publike, me të cilën u shua përfundimisht Prokuroria Speciale.
Megjithatë, përsëri rasti “Monstra” ju dha në ndjekje disa prej ish prokurorëve të Speciales, por tashmë si pjesë e prokurorisë së rregullt.

E jorastësisht, shqiptarja Fatime Fetai u përzgjedh si prokurore kryesore e rastit, e cila tanimë në rigjykimin e lëndës, për pesë te akuzuarit shqiptar, kërkoi burgim të përjetshëm për Alil Demirin, Afrim Ismailoviqin dhe Agim Ismailoviqin, për veprën penale “terrorizëm”, dhe dy të tjerëve, Haki Azirin dhe Fejzi Azirin kërkoi që të dënohen njëri me 9 dhe tjetri me 15 vite burg si ndihmës në veprën penale. Ndërsa për një prej ish të akuzuarve, Sami Luta, në mungesë provash, i tërhiqet aktakuza.

Në këtë situate të krijuar, kur pala mbrojtëse i hedh poshtë akuzat për mungesë provash, dhe njëkohësisht akuzon dhe pretendon për montim të rastit, e në anën tjetër nuk ka mundësi financiare për të bërë ekspertiza ndërkombëtare kredibile, dhe kur prokuroria në krye me Fatime Fetai, ne fjalën e saj përfundimtare paraqiti gjykatës provat me të cilat të akuzuarit janë të involvuar me rastin – sipas ekspertizave nga brenda vendit, epilogu i gjykimit sikur kuptohet. Të akuzuarit shqiptarë do të dënohen përsëri me po dënimet e kërkuara nga prokuroria. Ngase gjykata parimisht vendos në bazë të paraqitjes së provave të ekspertizave të kryera.

Pjesë e konsiderueshme e popullatës shqiptare, ashtu si dhe pala mbrojtëse, vazhdojnë të pohojnë e protësojnë se ky rast mbetet i montuar, duke mos ju besuar institucioneve shteterore dhe as ekspertizave të bëra nga prokuroria për provat mbi të cilat bazohet aktakuza. Dhe kjo histori do të vazhdojë kështu duke fajësuar njëri tjetrin, shkaktuar tensione ndëretnike, po edhe kriza qeveritare, e shfrytëzime të mundëshme të poenave politik nga parti opozitare, për arsye të ndjeshmërisë që paraqet rasti në fjalë.

Në këto rrethana, rrugëzgjidhja e vetme mbetet, atë që prokuroria duhej ta bënte me kohë, kërkimin e ekspertizave ndërkombëtare, me të cilat ekspertiza provat do të merrnin karakterin e besueshmërisë për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Ekspertizat të tilla do të vlerësonin edhe për ekzistimin apo jo, të mundësive për montim të ngjarjes, sipas varianteve të dyshuara dhe akuzave për organet shtetërore.

Ёshtë një lëndë penale ku nuk duhet të shikohet kostoja financiare e ekspertizave të huaja, për arsye se kostoja e reaksionit dhe problemeve ndëretnike është më e madhe. Nëse ekspertizat ndërkombëtare i nxjerrin provat e akuzës si të vërteta, dhe përjashtojnë mundësitë reale të montimit të rastit, atëherë edhe vetë popullata, por edhe familjarët e të akuzuarve, do të kenë një pamje qartësuese dhe më të ftohtë të ngjarjes, e dënimeve të sanskionuara.

E nëse jo, nëse ekspertizat e huaja nuk i nxjerrin të lidhura të akuzuarit me provat, e mundësisë reale për një montim te rastit, atëherë të akuzuarit sigurisht se duhet të lirohen nga akuza dhe të marrin dëmshpërblimin.
E gjitha kjo do të ishte në favor të marrëdhënieve ndëretnike, të vetë prokurorisë e prokurorës kryesore të rastit Fatime Fetai. Me të cilën gjë do të shuheshin të gjitha akuzat e bashkëpunimit të saj me struktura të errëta, apo akuzat e një montimi të mundshëm. Këto ekspertizë ndërkombëtare duhet ti kërkojnë gjithë partite politike shqiptare, pse jo edhe ata maqedonase.

Mbi të gjitha, me hetim dhe prova të besueshme do të vihej drejtësi për vrasësit e pesë jetëve të pafajshme në Liqenin e Smilkovcit, në gjetjen, vërtetimin dhe dënimin e kryesve të vërtetë të këtij akti çnjerëzor.

Marketing