RTVM demanton akuzat e Policisë Financiare

Radio Televizioni i Maqedonisë e demanton ashpër konferencën e sotme për shtyp të Drejtorisë së Policisë Financiare për kinse keqpërdorim të procedurës dhe shpërdorimin e mjeteve të kredisë së marrë në vitin 2015.

Marketing

“E informojmë opinionin se procedura e kredisë është në përputhje me të gjitha procedurat ligjore dhe mjetet janë përdorur me dedikim. Në periudhën e kaluar, derisa është ky ekip menaxhues, RTVM ka punuar dhe punon vetëm në përputhje me ligjet e shtetit. Madje, kjo është konstatuar në disa raporte të revizionit nga firmat ndërkombëtare të revizionit dhe nga Enti Shtetëror i Revizionit. Duam ta njoftojmë opinionin se RTVM në vitin 2012 ka pasur borxhe të trashëguara në lartësi prej 24.435.474 euro dhe ishte në prag të mbylljes. Pas marrjes së masave serioze për racionalizimin e shpenzimeve, plani për kursim dhe të tjera aktivitete, RTVM i ktheu 13.000.000 euro si borxh të vjetër”.

Duam të informojmë opinionin e Maqedonisë së Veriut se aktualisht RTVM i ka këto obligime:

DAP 2.616.181 euro borxh nga viti 2003 deri në vitin 2012;

SHA Aeroporte të Maqedonisë 3.151.286 euro borxh nga viti 2007;

Ministria e Financave (klubi i Parisit dhe i Londrës), 2.910.018 euro borxh nga viti 1983-1985;

NP Ujësjellësi dhe Kanalizimet, 314.911 euro borxh nga viti 2006 deri në vitin 2012.

Nga ajo që është theksuar më lartë shihet se RTVM ka më shumë se 9.000.000 euro borxhe të trashëguara nga e kaluara, e disa më të vjetra se 30 vite. Në këtë moment RTVM ka borxh vetëm 197.128 euro, që përfaqëson borxhin historikisht më të ulët që nga formimi e deri më tani”.

“Theksojmë se RTVM ka kërkesa nga DAP për taksë të papaguar të radiodifuzionit për më tepër se 33.000.000 euro dhe mjete të pritshme nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës në vlerë më të madhe se 3.400.000 euro.

Gjithashtu theksojmë se RTVM është Ndërmarrje Publike Radiodifuzive me interes të veçantë, që vepron në përputhje me një ligj të veçantë për shërbimet audio dhe audiovizuale të medias që rregullon punën e RTVM-së dhe jo në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, siç thuhet nga Drejtoria e Policisë Financiare.

Në Ligjin për Shërbime mediatike audiovizuale, neni 129, paragrafi 6, në mënyrë decide qëndron se Këshilli Mbikëqyrës i RTVM-së jep pajtim për lidhjen e kontratave dhe kredive bankare të cilat tejkalojnë vlerën e vërtetuar në Statutin e RTVM-së, si dhe paragrafin 7 nga i njëjti nen, ku në mënyrë decide thuhet se Këshilli Mbikëqyrës jep pëlqim për tjetërsim dhe posedim me pronën e RTVM-së, që e tejkalon vlerën e vërtetuar me statutin e RTVM-së. Nga këtu shihet qartë se RTVM nuk ka obligim të kërkojë pajtim nga Kuvendi.

Madje, Drejtori i RTVM-së është i detyruar të zbatojë vendimet e Këshillit të Programit dhe të Bordit Mbikëqyrës në përputhje me Ligjin dhe aktet e brendshme të RTVM-së. Në fund theksojmë se para 16 muajve, RTVM kishte iniciativë të ngjashme për të paraqitur padi penale publike, që prokuroria e hodhi poshtë si të pabazë. Shpresojmë se do të kemi mundësi që edhe në këtë padi ta dëshmojmë se RTVM nuk i ka thyer ligjet”,- thuhet në reagimin e udhëheqësisë së RTVM-së.