Ruçi uron Xhaferin për rizgjedhjen në krye të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Talat Xhaferit, me rastin e rizgjedhjes si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Në letrën e publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, Ruçi thekson se rizgjedhja Xhaferit në këtë detyrë të lartë është një tregues i lidershipit të tij “të sprovuar, vizionar, të matur dhe të balancuar, gjatë viteve të legjislaturës së kaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Ruçi shkruan se rizgjedhja e Xhaferit është gjithashtu një tregues i pjekurisë dhe emancipimit të elitës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe i “përgjegjësive të saj për konsolidimin e demokracisë, ndërtimin e një shoqërie të drejtë, zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe përshpejtimin e proceseve integruese euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut”.

Kryeparlamentari i Shqipërisë thekson më tej se “Shpreh bindjen se rritja dhe fuqizimi i përfaqësimit politik do t’í shërbejë përmirësimit të mirëqenies dhe nxitjes e zgjerimit të përfshirjes së shqiptarëve në të gjitha nivelet dhe institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Ndërkohë, Ruçi e ka ftuar homologun Xhaferi për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Talat Xhaferi u rizgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut gjatë seancës së sotme, pas arritjes disa ditë me parë të marrëveshjes për koalicionin qeveritar mes Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Marketing