Ruskoska: Nuk është shkelur e drejta e mbrojtjes së të akuzuarve

Gjykimet ndoshta duket se zgjasin shumë gjatë, por në muajin shtator janë caktuar vetëm gjashtë seanca, ndërsa duke e pasur parasysh vëllimin e lëndës dhe materialin dëshmues vlerësoj se atëherë do të kishte ankesa se shumë zgjatë procedura, deklaroi sot prokurorja publike Vilma Ruskoska, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në pauzën e gjykimit për ngjarjet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill të vitit 2017.

“Nuk është e saktë se seancat zgjasin 13 orë. E ndiqni gjykimin dhe e dini se ka pauza të gjata dhe të mëdha. Vlerësoj se me asgjë nuk është shkelur e drejta e mbrojtjes së të akuzuarve. Përkundrazi, pasi që të gjithë u prononcuan se nuk janë fajtorë, vlerësoj se është në interes të tyre sa më shpejtë të përfundojë procedura, me ç’rast do të mundeshin eventualisht të lirohen”, tha Ruskoska.

Lidhur me ankesat për veprën e cila u ngarkohet të pandehurve, dhe mundësinë për rikualifikim, Ruskoska tha se nga nisja e hetimit bëhet fjalë për veprën e njëjtë penale.
“Askush deri tani nuk është akuzuar për terrorizëm. Para sjelljes së urdhrit për zbatimin e procedurës hetimore lënda me dëshmitë u ridefinua para tërë kolegjiumit të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë, si dhe para kolegëve të prokurorisë së lartë publike, në kolegjium të gjerë. Të gjithë janë të mendimit se janë përmbushur të gjitha elementet e kësaj vepre penale”, tha Ruskoska.
E pyetur nëse ndjehet e sigurt, prokurorja Ruskoska, shkurt dhe prerë u përgjigj me po.

Theksoi se prokuroria ka për detyrë të konfirmojë gjendjen faktike dhe qëllim i vetëm është konfirmimi i drejtë çfarë ka ndodhur në të vërtetë atë ditë dhe kush është përgjegjës për ngjarjet.

E pyetur deri ku ka arritur procedura për porositësit e këtij rasti, Rusoska, shfaqi shpresë se do të ketë, por theksoi se ende janë në procedurë parahetimore.
Lidhur me informacionet se si dëshmitar i mbrojtjes është thirrur Nikolla Gruevski, Ruskoska, tha se nëse kanë vlerësuar se duhet të thirret, do ta thërrasim, por ai realisht nuk ka qenë atë ditë në vend.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Dobrilla Kacarska, para fillimit të gjykimit tha se lidhur me reagimet për kohëzgjatjen e seancave gjyqësore, kjo është për shkak efikasitetit ekonomik të procesit gjyqësor dhe në pajtim me konventën e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, i cili theks të veçantë vendosi në të drejtën e gjykimit në afat të arsyeshëm.

Për ngjarjet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill të vitit 2017 akuzohen gjithsej 33 persona prej të cilëve 31 për rrezikim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy për nxitje.

Mes të akuzuarve gjenden më shumë deputetë, të punësuar në MPB dhe sigurimi i Kuvendit, artistë dhe qytetarë.