Sa kushton arratisja nga burgu i Shutkës!?

Këto mure të fortifikuara nuk ka arritur askush që deri më sot t’i kalojë. Në Qendrën e paraburgimit të Shkupit e njohur sipas lokacionit në Shuto Orizase, përveç gardianëve, masa e sigurisë është rritur edhe nga forcat policore.

Marketing

Sipas autoriteteve, këto përforcime janë bërë pasi që aty po vuan paraburgimin 30 ditor ish-shefi i DSK-së Sasho Mijallkov, biznesmeni Orce Kamçev, ish-ministri i transportit dhe lidhjeve Mile Janakieski, ish-sekretari i qeverisë Kiril Bozhinovski dhe të tjerë, të akuzuar sipas rasteve të PPS-së.

Zëvendësdrejtori i burgut, Sadush Arifi i tha TV21 se në dhjetë vitet e fundit nuk ka pasur asnjë arratisje nga të burgosurit. Sipas tij, masat e sigurisë janë shtuar si në ruajtjen e objekteve rreth e përqark hapësirës së burgut, po ashtu edhe gjatë përcjelljes së të burgosurve brenda dhe jashtë burgut.

“Ka pasur disa tentime dhe përpjekjet për arratisje nga burgu, që është një dukuri e njohur edhe nëpër burgjet e vendit edhe në gjithë botën. Gjate periudhës se kaluar ka pasur tentim arratisje nga burgu në forma dhe mënyra te ndryshme, por është reaguar në kohe për parandalimin e një dukurie të tillë.

Sipas vlerësimeve tona niveli i sigurisë është ngritur në shkallë më të lartë dhe mundësitë për arratisje janë pothuajse te pamundura në Burgun e Shkupit”, u shpreh Sadush Arifi, Zëvendësdrejtor i burgut të “Shutkës”.

Profesori universitar Mitasin Beqiri thotë se një arratisje me vetiniciativë nuk mund të bëhet nga “Shutka”, përveç se të paguhet me para të majme. Meqë së fundmi disa milionerë të kalibrit të lartë po mbahen në qelitë e paraburgimit sipas standardeve të Hagës, eksperti i sigurisë sugjeron që autoritetet mos të biejn pre e korrupsionit apo pazareve politike.

Sipas tij, nëse diçka e tillë ndodh, përgjegjësia duhet të kërkohen tek Drejtoria e sanksioneve, kryesia e Gjykatës Penale madje edhe tek ekzekutivi i shtetit.

“Sa i përket arratisjeve në fazën e hetuesisë këtu nuk ndodhin. Por, ndodh në shtetet e jashtme në burgjet e sigurisë së lartë. Por ka shanse edhe tek ne sepse përherë janë me bindje para sigurimeve se ai e planifikon një vepër të atillë. Arratisje ka edhe prej burgut të sigurisë së lartë që është në Idrizovë. Mos të flasim vetëm për rastin konkret që ju intereson juve, fenomeni i arratisjes ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë, do të thotë ka mundësi”, tha Mitasin Beqiri, Ekspert i sigurisë.

Ndonëse historia e Maqedonisë nuk njeh ndonjë arratisje spektakolare prej burgjeve, të tilla bëhen në përpjekjen e organeve të drejtësisë për t’i çuar prapa grilave ish-funksionarët më të fuqishëm të shtetit.

Arratisja e fundit e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nuk ishte e para nga të përndjekurit e Prokurorisë Speciale. Ai pas vendimit të plotfuqishëm për vuajtjen e dënimit pre dy vjetësh burg në rastin “Tanku” iku dhe mori azil politik në Hungari. Para tij, fill pas shqiptimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh të ish-shefit të Drejtorisë së 5 të MPB-së, Goran Grujevski dhe zëvendësi i tij Nikolla Boshkovski u arratisën në Greqi me identitete të rreme, ku po mbahen në burg dhe pritet ekstradimi i tyre.

Ndërsa, biznesmeni Sead Koçan përpara se t’i shqiptohet dënimi prej 6 vjetësh në rastin “Trust” ishte në arrati. Autoritetet nuk lejuan që këto raste të përsëriten, duke paraburgosur disa të akuzuar të tjerë, që sipas burimeve të inteligjencës po përgatisnin arratisjen. Kurse, ata që tani më janë në qeli po ruhen nën masa të rrepta sigurie.

Marketing