Sadiki: Nëse nuk bëjmë kujdes, e keqja do të na godet të gjithëve

Studeniçani i qetë.

Marketing

Rrugëve lëvizje e ulët e qytetarëve. Shumica që i takuam ishin me maska.

Si duket rritja e numrit të të infektuarve në këtë komunë i ka bërë qytetarët të tërhiqen.

Vetëm dje në Studeniçan u paraqitën 5 raste, ndërsa sot një. Bëhet fjalë për një person i cili adresën e banimit e ka në këtë Komunë, ndërsa jeton në Shkup.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se komunë do ta fus në karantinë nëse vazhdon të rritet numri i të infektuarve. E disa nga banorët që i pyetëm pajtohen që të izolohen nëse është nevoja.

Banor i Studeniçanit: Po thonë se ka, ajo që e dëgjojmë nga të tjerët është se ka, sa është e vërtetë, sa janë nuk e di numrin. Duhet të frikësohemi, duhet të ruhemi. Nëse rritet numri atëherë mundet.

TV21: Juve si qytetar a ju pengon nëse futet në karantinë komuna juaj?

Banor i Studeniçanit: Në qoftë se ata e shohin që ka nevojë, le ta vendosin, çdo vendim që është në të mirën e popullatës mendoj se është i mirëseardhur.

Futjen e Studeniçanit në karantinë, nuk e kundërshtoi as kryetari i kësaj komunë, Azem Sadiki. Ai thotë se pajtohet me vendimet e ekspertëve, por thotë se Studeniçani nuk ka aq numër të madh të të infektuarve.

“Ne patjetër jemi që t’i përkrahim të gjitha masat, mirëpo mendoj se Studeniçani nuk është në nivelin e disa komunave, që numri ka qenë drastik shumë i madh, ne kemi pasur pak raste, por edhe sot rasti i ri që u paraqit tregon se numri po ulet. Mirëpo kjo do të varet nga qytetarët e Komunës, nuk varet vetëm nga ne, as prej kryetarit të komunës, as prej institucioneve tjera, kjo varet kryekëput prej qytetarëve. Nëse të gjithë s’bashku nuk mobilizohemi që ta luftojmë këtë të keqe, atëherë e keqja do të na godet të gjithëve”, tha Azem Sadiki, kryetar i Studeniçanit.

Ndryshe nga fillimi i epidemisë në Studeniçan janë paraqitur gjithsej 15 raste me korona. 13 janë aktive, një person ka ndërruar jetë dhe një jeton në Shkup, por me adresë banimi në Studeniçan. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe bëri të ditur se të gjitha rastet në Çair dhe Studeniçan janë nga 10 familje. Ngelet në dorë të Komisionit për sëmundje infektive të cilët deri të enjten duhet të sjellin vendim nëse duhet të kthehen masat restriktive.