Akuza të reja ndaj komunës së Gostivarit për moskujdes dhe bashkëpunim me shkollat publike të qytetit.

Kësaj radhe është drejtori i Shkollës Fillore “Bashkimi”, Mersel Sadiku, i cili akuzoi se udhëheqësia aktuale e komunës nuk i ka lëshuar asnjë denarë nga bllokdotacionet shkollës dhe as nuk jep pëlqim për punësime të përkohshme në këtë shkollë. Këto obstruksione, tha drejtori Sadiku, kanë vështirësuar tejmase përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Sadiku bëri të ditur se janë në pyetje vetëm 5 punësime të përkohshme që kryetari Taravari nuk jep pëlqim, ndërsa pasojat, tha ai, i ndjejnë nxënësit.

Nga ana tjetër, udhëheqësja e Sektorit të Arsimit pranë komunës së Gostivarit, Aslian Snopçe, duke iu përgjigjur drejtorit të shkollës “Bashkimi”, tha se gjithçka do të jetë e qartë se kush spekulon me 3 shtator kur edhe zyrtarisht të fillojë procesi edukativo-arsimor.

E pyetur se pse nuk ka dhënë komuna pëlqim për punësime të përkohshme në këtë shkollë, Snopçe tha se kryetari Taravari nuk është shërbëtor i drejtorëve të shkollave, të kërkojnë çfarë të duan, kurse si kusht u kanë vendosur që punësimet të bëhen sipas meritës.

Në fund ajo ka bërë të ditur se i vjen keq që disa drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme publike nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë me komunën dhe e gjithë kjo tha se bëhet për pikë politike, për çka koston do ta paguajnë nxënësit.