Krahasimi mes programit IPARD 1 dhe IPARD 2 është shumë i madh nëse shohim mjetet që janë shfrytëzuar nga këto dy fonde evropiane për bujqit. Kështu u shpreh Zv. Drejtori në Agjencionin për përkrahje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural Abduselam Selami në emisionin “Arti i financës” në Klan Maqedoni.

Sipas tij nga programi IPARD 1 janë shfrytëzuar vetëm 16 % e mjeteve ndërsa nga IPARD 2 janë shfrytëzuar mbi 42 % e fondeve pa llogaritur aplikimet për masën 7 ku interesimi ishte tre herë më i madh.

“Krahasimi mes IPARD 1 dhe IPARD 2 është i madh. Për IPARD 1 janë shfrytëzuar vetëm 16% të fondeve nga BE-ja. Nga aplikantët dhe ndihma e fituar nga këto fonde mund të thuhet se bujqit shkojnë në kahje pozitive, fermerët dhe kompanitë e bujqësisë po i thithin këto fonde evropiane. Masa 7 mbaroi në dhjetor 2019 dhe akoma nuk I kemi rezultatet sepse aplikacionet po punohen. Interesimi është shumë i madh. Kishim në dispozicion 16 milion euro për masën 7 ndërsa kemi aplikacione për 46 milion euro, pra 3 herë më shumë. Për here të pare ka interes aq të madh. Pra është thyer tabuja se fondet evropiane janë vetëm në letra”, ka deklaruar Selami.

Ai informoi edhe për akreditimin e programit IPARD 3 që përfshin periudhën 2020-2027.