Salvini në gjykim për emigrantët, rrezikon 15 vjet burg!

Matteo Salvini rrezikon deri në 15 vjet burg me akuzën e re të gjykatës së Katanias sipas të cilës, ish ministri i brendshëm Italian ka abuzuar me pushtetin duke privuar nga liria 131 emigrantë në bordin e anijes Gregoretti 27 korrikun e këtij viti.

Marketing

Ishte vetë Salvini që e njoftoi një gjë të tillë, duke e cilësuar si turp faktin që “një ministër gjykohet sepse ka kërkuar të mbrojë interesat e vendit të tij”. Kërkesa për autorizimin e procedurës i është dërguar senatit dhe tani do të jenë ligjvënësit italianë ata që do të vendosin për t`i dhënë ose jo procesit dritën jeshile. Edhe në këtë rast, gjykata e Katanias dha mendim të kundërt me atë të prokurorit Carmelo Zuccaro i cili kishte kërkuar që akuzat kundër Salvinit, të arkivoheshin. Por cështja me sa duket vazhdon të mbetet në vëmendjen e magjistraturës.

Salvini akuzohet se ka vendosur me vetëdije t`i privojë nga liria emigrantët duke i detyruar të mos zbrisnin nga anija, pavarësisht kushteve të rënduara psiko-fizike në bord. Tani, thotë Corriere Della Sera, duhet të presim e të shohim ç`do të bëjë lëvizja 5 yjet, që asokohe qeveriste së bashku me kreun e Legës, e që praktikisht, ndante të njëjtin qëndrim me të. Anija Gregoretti e rojeve bregdetare italiane kishte shpëtuar dhe marrë në bordin e saj 131 emigrantë, e bashkë me ta qe nisur drejt Lampeduzës, por nuk iu lejua zbarkimi.

Pas disa ditësh në det, Gregoretti e mori më në fund autorizimin për tu afruar në postin e Augustës, por vetëm pas angazhimit të pesë vendeve europiane për t`I marrë ato emigrantët e bllokuar në bordin e saj.