Santos ofron dy sulmues për Interin për Gabigolin

Gabriel Barbosa, apo i njohur ndryshe si Gabigol, ka rilindur pas rikthimit te Santosi dimrin e kaluar, teksa ka shënuar 19 gola në 43 ndeshje me bardhezinjtë brazilianë.

Marketing

Pas një eksperience negative për një sezon te Interi dhe për disa muaj te Benfica, sulmuesi vendosi të rikthehet te Santosi, ku gradualisht rigjeti formën e tij më të mirë dhe është shndërruar në një titullar kyç te kjo skuadër.

Megjithatë, sipas marrëveshjes, Gabigol duhet të rikthehet në janar te Interi, skuadër që zotëron kartonin e tij, ndonëse dëshira e klubit të Santosit, por edhe vetë sulmuesit brazilian, është që të vijojnë akoma bashkëpunimin.

Zikaltrit kanë kërkuar 25 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa në të kundërt kanë planifikuar që ta rikthejnë sulmuesin në Itali, për ta huazuar në Serinë A, me qëllim që të ambientohet me kampionatin italian dhe të jetë gati për sezonin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Santosit nuk kanë ndërmend të paguajnë paratë e kërkuara nga zikaltrit, por kanë ofruar kartonët e dy futbollistëve, sulmuesit 27-vjeçar Bruno Henruique dhe 26-vjeçarit Eduardo Sasha.

Të dy këta lojtarë janë angazhuar shumë pak gjatë kohëve të fundit me skuadrën braziliane, ndaj Santos është gati t’ia japë Interit në këmbim të kartonit të sulmuesit Gabriel Barbosa, që është protagonist te skuadra braziliane.

Me interes pritet përgjigja e zikaltërve, që me shumë gjasa do të refuzojë këtë ofertë, pasi të dy lojtarët nuk janë pjesë e interesit të tyre dhe për më tepër, nuk kanë moshën e duhur, për të shpresuar në rritje të performancës së tyre.

Marketing