Sarri : Juventus ajka e futbollit italian, jam këtu për të fituar Champions League

Pak javë më parë ai fitoi Ligën e Europës me Çelsin, por tani beson se është rritur dhe dëshiron të fitojë Ligën e Kampioneve. U prezantua si trajner i “Zonjës së Vjetër” dhe ka ambicie të mëdha. Nuk munguan batutat, ku më e bukura ishte ajo që ai e përkufizoi si masë disiplinore në rast mospërmbushje objektivash, duke thënë “shpresoj të mos më nxjerrin nudo”. Kështu, pas aventurës një vjeçare në Londër, ku drejtoi Çelsin në Premier League dhe arriti të fitojë Europa League, Maurizio Sarri rikthehet në Itali, këtë herë për t’u ulur në stolin e kampionëve të Juventusit. “Tre vite më parë shkova te Napoli dhe dhashë gjithçka, pasi isha një tifoz i napolitanëve, që fëmijë. Kohët e fundit kisha një dyshim mes kënaqësisë që ndjeja kur drejtoja Napolin dhe logjikës që më thoshte se kjo eksperiencë kishte ardhur në fund. Kisha oferta edhe nga Italia atëherë, pro vendosa të shkoj një herë jashtë. Eksperienca në Premier League ishte fantastike, por më pas erdhi oferta nga Juventusi, klubi më i rëndësishëm në Itali dhe nuk mund ta refuzoja. Mendoj se ky është një kurorëzim i një karriere që në 80% të saj ka qenë shumë e vështirë. Jam i bindur që i kam respektuar të gjithë, ndërsa tani duhet të respektoj edhe veten time. Pres që të zgjohem në mëngjes dhe të studioj se si të fitojmë ndeshjet. Juventusi ka detyrimin të futet në Champions me objektivin për të triumfuar në fund, por të njëjtat synime kanë edhe 8-9 klube të tjera të mëdha në Europë, ndaj kjo gjë bëhet e vështirë. Sa i përket kampionatit, përgjegjësia është më e madhe, pasi kjo skuadër fiton prej 8 sezonesh radhazi dhe duhet të mbrojë titullin”, u shpreh Sarri. Më tej trajneri foli për emocionet si trajner juventin. “Emocioni është i fortë, por nuk është se vij nga klube amatore. Kam një karrierë që ka ardhur hap pas hapi dhe kam provuar klube të ndryshme. Mos harroni që vij nga Çelsi, një skuadër e madhe europiane, ndonëse me më pak histori se Juventusi. Mund ta quaj një hap të madh përpara emërimin tim këtu. Një lojtar i caktuar, që jeton në një ambient, bën deklarata të caktuara, pasi dëshiron të kalojë mirë aty ku është. Pastaj janë mesazhet private që thonë tërësisht të kundërtën. Unë jam një profesionist që bëj më të mirën në punën time, duke respektuar klubet ku punoj dhe duke dhënë 110%. Mendoj se ky është respekti. Të tjerat janë zgjedhje logjike, pa pasur vend për romanca. Nuk e di nëse do të zbres në stërvitje me kollare apo tuta, nuk kemi folur për këtë aspekt, por do ta diskutojmë. Rëndësi ka që në këtë moshë të mos më nxjerrin nudo”, shtoi Sarri, i cili nuk la jashtë vëmendjes as sulmuesin rivalizues të Ronaldos, Gonzales Higuain. “Higuainit i dua të mirën dhe mendoj se gjithçka varet nga ai. Momentalisht nuk kam folur, që pas festës në Baku, por ai është pjesë e Juves dhe natyrisht që do të bisedojmë. Për cilësitë teknike që disponon, mund të luajë në krah të kujtdo, por kur thashë që varet nga vetë Higuain, nënkuptova faktin që atij i ka rënduar shumë largimi nga Juventusi dhe ka pësuar një lloj shoku emocional, duke mos u shprehur mirë as te Milani dhe as te Çelsi. Nëse do të reagojë në mënyrën e duhur, atëherë është në rregull, pasi ka moshën për të luajtur edhe 2-3 sezone në nivele të larta.

Marketing
Marketing