Maurizio Sarri ka paralajmëruar se orari i ngarkuar e ka bërë të mendojë për aktivizimin ekipit të rinjve të Juventusit në xhiron e fundit në Serie A kundër Romës.

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri ka paralajmëruar se mund të aktivizojë ekipin U-23 në duelin ndaj Romës në kuadër të xhiros së fundit të sezonit në Serie A.

Pas humbjes ndaj Cagliarit me rezultat 2:0, Sarri u ankua në orarin e ngjeshur për Bianconerët.

“Ne jemi skuadra e vetme në Evropë që ka luajtur pesë ndeshje në 12 ditë, liga ka krijuar një problem të madh për ne”, deklaroi ai pas ndeshjes për DAZN.

“Ne hymë në ndeshje me nëntë lëndime dhe nga kampionati i fituar 68 orë më parë. Të shohim si jemi nesër dhe ndoshta është e mundur të aktivizojmë ekipin U-23 të shtunën kundër Romës që të rikuperohemi më mirë”, theksoi ai.