SASHK-u nuk lëshon pe, më dy shtator grevë paralajmëruese

Sindikata e Arsimit dhe Ministria e Arsimit nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre. Greva e mësimdhënësve, e cila është paralajmëruese do të zgjasë vetëm një ditë.

Të hënën më 2 shtator mësimdhënësit dhe nxënësit do të paraqiten në shkollë, por mësim nuk do të ketë. Nga mos gjetja e gjuhës së përbashkët mes dy palëve, të dëmtuarit janë fëmijët, të cilët orët e parealizuara të mësimit, sipas ligjit të ri nuk do t’i plotësojnë gjatë fundjavave, por në qershor, kur përfundon viti.

Nga Sindikata pranojnë se për ata është e rëndësishme të mos dëmtojnë fëmijët, por pavarësisht kësaj, thonë se Qeveria dhe MASH kanë afat deri në fund të shtatorit të pranojnë kërkesat e tyre për përmirësimin e statusit social, në të kundër greva e radhës do të zgjasë shumë më tepër.

Nëse deri në fund të shtatorit nuk kanë pranuar kërkesat tonë, nuk përjashtohet mundësia që të sjellim vendim për grevë të përgjithshme e cila do të zgjaste deri në realizimin e kërkesave tona. Mësuesit kujdesen për fëmijët dhe ata nuk do të lënë fëmijët pa realizuar plan programin mësimor. Më 2 shtator ne paralajmërojmë Qeverinë dhe MASH-in që të kenë qasje më seriozë ndaj mësimdhënësve dhe arsimit në vend – tha Joakim Nedelkov, SASHK.

Ministri i arsimit Arbër Ademi thotë se greva nuk duhet të organizohet me qëllim që fëmijët mos të pësojnë.
Tani a do të duhet të organizohet e njëjta, apo nuk do të duhet të organizohet, unë mendoj se nuk ka arsye, aq më tepër duke u udhëhequr nga interesi i nxënësve, veçanërisht i atyre që për herë të parë do të ulën në bankat e shkollës. Ku dita e parë shkollore është një ditë solemne, së bashku me prindërit, së bashku me gjyshërit. Mësimdhënësit meritojnë më shumë dhe ne po bëjmë më shumë – u shpreh Arbër Ademi, Ministër i Arsimit.

Edhe ekspertët vlerësojnë se viti shkollor nuk duhet të shtyhet. Nuhi Dardhishta nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, thotë se mësimdhënësit kanë të drejtë të kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira pune, por shton se në asnjë mënyrë nxënësit nuk duhet të mbesin pa mësim. Sipas tij, Sindikata nuk duhet të priste fillimin e vitit të ri shkollor për të reaguar.

Ne nuk jemi për grevën, por jemi patjetër që të gjejë një zgjidhje Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sa do t’i rrisin pagat në shtator, por brenda vitit të caktojnë afate sa do të rriten pagat, kështu që të ketë një marrëveshje, sepse nuk mundet fëmijët, nxënësit dhe mësimdhënësit e tjerë të humbin dhe të shtyhet vitit shkollor në qershor. Nuk është kjo në rregull – deklaroi Nuhi Dardhishta- Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë.

Qeveria paralajmëroi rritje prej 5 % të pagave të mësimdhënësve për në shtator të këtij vitit, përqindje e njëjtë me rritjen e një viti më parë. Së fundmi edhe ministri i arsimit Ademi paralajmëroi rritje plotësuese të pagave, por pa precizuar kur dhe sa do të rriten pagat e mësimdhënësve.