Sassoli: Perspektiva e Maqedonisë së Veriut, edhe më e gjallë,vetoja franceze pengesë e vogël

Perspektiva europiane e Maqedonisë së Veriut është e gjallë –6 muajt e ardhshëm janë shumë të rëndësishme , thotë për agjensinë e lajmeve MIA , kreu i parlamentit evropian David Sasoli. Gazetari i mëparshëm, i cili këtë verë mori një nga pozicionet e 3 institucioneve më të fuqishme të BE-së ,të hënën vjen në Shkup me porosinë se vetoja franceze është pengesë e vogël e cila së shpejti do të tejkalohet.
“Gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm. Mendoj se duhet të mbërrijmë në samitin në Zagreb me konsensus të palës evropiane. Atë që do ta bëjë Komisioni i ri Evropian do të jetë vendimtare. Besojmë se Komisioni i ri do të ndjekë rrugën e njëjtë si edhe Komisioni i Junkerit, se do të vazhdojë me këto përpjekje dhe do t’i transformojë në diçka solide. Nuk humbim kohë dhe gjashtë muajt e ardhshëm nuk do të jenë të humbur. Kjo gjithashtu do të jetë mundësi për të theksuar vendosmërinë tonë. Ka vetëm një pauzë në një rrugë të gjatë, por fjala e fundit ende nuk është thënë. Një gjë tjetër që për ne është mbresëlënëse është toni i debatit publik në Maqedoninë e Veriut; kuptohet se njerëzit janë të dëshpëruar, kjo është e natyrshme, por ka sinjal të fuqishëm të shpresës, kjo është shumë pozitive dhe duhet doemos të ndërtojmë mbi këtë.
A do të thotë kjo se besoni se Franca do të pendohet? Kur? Për tre muaj, gjashtë?
Shpreheni se është pauzë dhe se duhet të presim deri në Samitin në Zagreb në maj, por ndërkohë ka pasoja reale. Maqedonia e Veriut shkon drejt zgjedhjeve, partitë nacionaliste janë duke u forcuar, në Serbi, presidenti këtë javë tha se vendet duhet të kthehen drejt vetes, kështu që derisa presim që BE-ja të gjejë konsensus, nuk druani nga pasojat negative?
E dimë se në këtë moment ka sfida nacionaliste që luajnë kundër BE-së, por mendoj se në Maqedoninë e Veriut forcat proevropiane janë shumicë dhe se shumica e popullatës e kupton situatën. Kjo nuk është kohë për të humbur shpresën. Parlamenti Evropian, Komisioni dhe shumica e vendeve tashmë janë të bindura, ajo që nevojitet tani është përpjekje për të bindur palën tjetër dhe këtë duhet doemos ta bëjmë së bashku.
A jeni të brengosur se vetoja franceze mund të dëmtojë besueshmërinë e BE-së, se BE-ja do të peshojë më pak kur do të dërgojë porosi në vend dhe në rajon?
U prononcova për këtë para fillimit të Këshillit të fundit Evropian dhe isha shumë i qartë në këtë temë. Kishim një varg kërkesash nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe tani duhet doemos t’u japim sinjal se janë në rrugë të drejtë. Ajo që nevojitet është të vazhdojnë me përpjekjet. Sa ishte e vështirë kjo rrugë për Maqedoninë e Veriut deri tani? Sa pengesa duhej të tejkalojë me fqinjët, me BE-në, për të arritur deri te kjo? Maqedonia e Veriut punoi me mundim në këto reforma dhe bëri përpjekje të mëdha. A do të duhet të humbet gjithë ajo për shkak të një pengese të vogël në rrugë? Jo.
Pra, shpreheni se perspektiva për anëtarësim nuk është e vdekur, porse kjo ishte vetëm një pengesë e vogël?
Nuk është e vdekur, por është më e gjallë sesa ishte dje. Për një arsye të thjeshtë: deri para do kohë për këtë temë nuk flitej në opinion. Tani, po. Dhe kjo është padyshim përparësi në procesin drejt bisedimeve aderuese. Motori i BE-së janë qytetarët, e jo vetëm liderët.
Franca ofron reforma në procesin e bisedimeve, disa ide vihen në tavolinë si partneritet i privilegjuar me rajonin në vend se anëtarësim të plotfuqishëm. Çfarë mendoni për këtë?
Kjo tashmë është rast deri diku. Ne nuk fillojmë nga zeroja. Raportet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë të dyanshme, kemi histori të gjatë. Ka pasur bisedime aderuese dhe shumë prej efekteve ndjehen në nivel ekonomik, në nivel politik, kështu që nuk mund të themi se fillojmë nga zeroja. Është ndërtuar shumë deri tani, gjendemi në proces, kuptohet, edhe ajo që e bëjmë është vazhdimësi drejt bisedimeve aderuese përmes këtyre fushave. Çdo raport është i mbështetur në faktorët e shumtë, tashmë kemi tregti, ekonomi, dhe e gjithë kjo është baza mbi të cilën ndërtojmë tani. Me këtë rast, Maqedonia e Veriut tregoi interes edhe për çështje të tjera si për shembull sistemi euroatlantik i mbrojtjes, që për mua është me të vërtetë dëshmi se kanë vullnet për t’iu afruar familjes evropiane.
A mund të përgjigjeni me po ose jo në pyetjen: a konsideroni se Maqedonia e Veriut duhet një ditë të bëhet anëtare e plotfuqishme e BE-së?
Kjo është pikërisht ajo në çka punojmë. Mos harroni se pasi të fillojmë procesin e bisedimeve do të ketë edhe shumë punë edhe nga ana e BE-së edhe nga ana e Maqedonisë së Veriut. Kur u takova me presidentin Makron, i thashë se nuk marrin vendim për anëtarësim, por për procesin e anëtarësimit.
Dhe cila është përgjigjja e tij?
Mirë janë të njohura vërejtjet e presidentit Makron. Dhe me siguri nuk janë të ndërlidhur me atë nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë fatin evropian. Ajo që ai thotë se na nevojitet ndryshim në procedurat dhe pikërisht për këtë mendoj se në të ardhmen lëvizim drejt negociatave.
A mendoni se bëhet fjalë për taktikë politike të presidentit Makron për të siguruar fuqinë e tij në kohën kur Britania e Madhe braktisë, ndërsa Gjermania është e dobësuar?
Për këtë duhet ta pyetni atë. Por, ka edhe vijë tjetër të vendeve që kundërshtojnë dhe kjo nuk është e ndërlidhur me kundërshtimin francez, kjo vijë konsideron se zgjerimi nuk duhet të shkojë në atë drejtim, këto janë dy tema të ndryshme.
Cilat vende?
Mendoj se vendet që kundërshtonin vendimin janë mirë të njohura. Mirëpo, ky është pozicion më ndryshe sesa ai francez. Konsideroj se zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor na nevojitet dhe konsideroj se Ballkanit Perëndimor i nevojitet gjithashtu – që të kompletohet tregu i përbashkët, liria e lëvizjes, të forcohet sistemi i sigurisë, të plotësohet harta evropiane. Ballkani Perëndimor është në zemër të hartës evropiane, ndërsa jashtë hartës së BE-së, ne duhet të mbyllim këtë vrimë. Kemi përshtypjen se disa vende nga veriu i Evropës nuk kuptojnë tërësisht se siguria e tyre varet nga këto politika. Por, kjo nuk ka kurrfarë lidhje me Francën.
U shprehët pak më parë se disa nga vendet ishin kundër vendimit. Ne kemi informacione se të gjitha vendet përveç Francës ishin për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, se kundërshtimi është fokusuar në Shqipërinë, dhe se disa vende hedhin poshtë çdo veçim, njëra prej tyre është Italia. A konsideroni se veçimi është njëra prej mundësive në muajt e ardhshëm, veçanërisht duke marrë parasysh faktin se Maqedonia e Veriut pret më së gjati dhe bën shumë kompromise të ndjeshme?
Ky proces është ndërtuar në atë mënyrë, prandaj konsideroj se është e arsyeshme që zhvillimi ta ndjekë propozimin e Komisionit për dy vendet së bashku. Që të dyja vendet kanë bërë reforma të mëdha, në të gjitha fushat, vallë në Kushtetutë, sistemin juridik, ose emrin. Kanë bërë përpjekje edhe Komisioni edhe Parlamenti thanë se është me rëndësi tani të fillojnë bisedimet.
Por, ekzistojnë dallime mes të dyjave, këtë e theksoi edhe Parlamenti gjerman edhe ai holandez, pyetja ime është se nëse nesër sërish shumica thotë po për Maqedoninë e Veriut, nëse vendi do të mund të ishte viktimë e kundërshtimeve ndaj Shqipërisë?
Kemi nevojë t’i forcojmë porositë e Komisionit dhe Parlamentit, e ato kërkuan që të dyja palët të jenë të gatshme për bisedime, a është kjo Maqedonia e Veriut ose Shqipëria, institucionet e BE-së e përcaktuan rrugën dhe nuk guxon të shkohet përmes rrugës së shkurtuar.
Parlamenti Evropian votoi dy rezoluta për hapjen e bisedimeve me vendin, a mund t’i sqaroni opinionit se sa peshojnë këto rezoluta dhe sa dhe çfarë mund të ndryshojnë?
Kemi institucione të ndryshme në BE dhe secila ka rolin e tij. Ajo që duhet ta keni parasysh është se në të tria, veçanërisht në Parlamentin dhe në Komisionin, kemi shumicë solide që është e bindur se duhet të shkohet drejt bisedimeve. Nga ana tjetër e kemi Këshillin ku disa vërejtje janë drejtuar, disa elemente vihen në pikëpyetje, por gjithmonë duhet të keni parasysh se kjo është pakicë e qeverive në BE. Ajo që nevojitet është që dy institucionet tjera t’u ndihmojnë që t’i tejkalojnë këto vërejtje. Në konstatimet e Këshillit ishte shumë e qartë se synimi i tyre nuk ishte që të bllokohet procesi, thjeshtë thanë se duhet bërë diçka më tepër. Tani duhet të sigurohemi se këto argumente mbeten në BE agjendën për të vazhduar procesi, por përmes rrugës së shkurtuar, nuk mund ta bëjmë këtë me veçim, bisedimet duhet doemos të fillojnë edhe me Maqedoninë e Veriut edhe me Shqipërinë. Këshilli Evropian do të rikthehet në pyetjen para konferencës në Zagreb. Gjatë kësaj kohe, Parlamenti dhe Komisioni do të duhet të dëshmojnë se pengesat mund të tejkalohen dhe kjo është ajo që do ta bëjmë në gjashtë muajt e ardhshëm.
Pyetja e fundit, a konsideroni se Maqedonia e Veriut i ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve? Franca i referohet reformës së prokurorisë publike si një prej arsyeve për veton, ndonëse ajo nuk ishte pjesë e kërkesave të Këshillit. Cili është qëndrimi i Parlamentit?
Parlamenti e shprehur shumë qartë qëndrimin e tij. Thamë se ajo që e bëri Maqedonia e Veriut është në përputhje me kërkesat e Komisionit Evropian, qëndrimi ynë është publik, transparent, ne votuam dhe rezoluta mbetet të vlejë ashtu siç është votuar.

Marketing
Marketing