Seanca të reja për “Titanik”, “Transportuesi” dhe “Tortura”

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për sot janë caktuar seanca të reja për lëndët “Titanik”, “Transportuesi” dhe “Tortura”, të cilat nga PSP-ja i morën në kompetencë dhe veprim të mëtutjeshëm Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Rasti për parregullsitë zgjedhore “Titanik” gjendet në procedurë dëshmuese dhe e udhëheq gjykatësi Osman Shabani, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është Lile Stefanova,

Përveç ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili është në arrati, në “Titanik” akuzohen edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakievski, Gordana Jankulloska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.

Ata dyshohen për bashkim kriminel, shkelje të së drejtës votuese, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore.

Seancë sot është caktuar edhe për lëndën “Transportuesi” në të cilën ish-kryetari i Manastirit Vlladimir Taleski dhe edhe 20 persona të tjerë akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare lidhur me transportin e organizuar të nxënësve në Manastir, me çka është bërë mashtrim në rreth 360.000 euro.
Lënda gjendet në procedurë dëshmuese dhe e zhvillon gjykatësja Dobrilla Kacarska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është Trajçe Pelivanov.

Gjykimi për mënyrën e arrestimit të Lube Boshkoskit në vitin 2011 “Tortura” gjendet në procedurë dëshmuese dhe e zhvillon gjykatësja Aleksandra Ristevska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është Lubomir Lale. Në “Tortura” së bashku me Sasho Mijalkovin akuzohen edhe ish-njeriu i parë i njësitit “Alfa” Ivica Antevski-Puki dhe edhe pesë pjesëtarë të njësitit.