Sekretari shtetëror Valmir Aziri në Konferencën e 5-të Ministrore të Këshillit të Ministrave të Kulturës së EJL-së në Sofje

Delegacioni i Maqedonisë së Veriut i udhëhequr nga sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, z.Valmir Aziri, sot në Sofje merr pjesë në Konferencën e 5-të Ministrore të Këshillit të Ministrave të Kulturës së Evropës Juglindore, në kuadër të Kryesimit të Bullgarisë me Këshillin e Ministrave të Kulturës së Evropës Juglindore (CoMoCoSEE).

Marketing

Në takimin në Sofje i cili sivjet mbahet me moton“Përforcimi i kulturës në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm”, krahas delegacionit tonë në të cilin është edhe sekretarja e përgjithshme e Komisionit Nacional për UNESKO-n, Biljana Prentovska, marrin pjesë edhe delegacionet e 11 vendeve – anëtare të rajonit. Qëllimi kryesor i takimit të iniciativës rajonale në të cilin ishte miratuar edhe Deklarata, është përforcimi i bashkëpunimit rajonal në fushën e kulturës me fokus në rolin e saj si mjet i fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për përforcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Sekretari shtetëror, Valmir Aziri, në fjalimin që mbajti para të pranishmëve theksoi se karakteri vital i kulturës si faktor për të krijuar shoqëri inkluzive dhe kohezive dhe roli i saj i rëndësishëm në krijimin e zhvillimit të qëndrueshëm social dhe ekonomik janë me rëndësi të madhe dhe në këtë kontekst ai e përshëndeti angazhimin e partnerëve të Platformës Rajonale dhe falënderoi për mbështetjen nga ana e organizatave ndërkombëtare, UNESKO-s, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

“Cilësia e bashkëpunimit rajonal varet nga përkufizimi i prioriteteve tona: pozicionimi i kulturës –diplomacia kulturore në zemrën e bashkëpunimit ndërkombëtar; themelimi i rolit të saj si katalizator i pajtimit, paqes dhe stabilitetit; shfrytëzimi i saj më i madh si instrument për kohezionin social dhe zhvillimin ekonomik, si dhe roli i saj si promotor i llojllojshmërisë kulturore dhe dialogut ndërkulturor’’, tha Aziri.

Ai shtoi se harmonizimi i tekstit të Deklaratës, me politikat, strategjitë dhe prioritetet aktuale të UNESKO-s, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës e hap mundësinë që më konkretisht të përkufizohen mekanizmat dhe instrumentet për bashkëpunimin e mëtejshëm me qëllim të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm kulturor rajonal, ndërsa në drejtim të përkufizimit të profilit kulturor rajonal në kontekstin e gjerë evropian dhe global.
Në margjinat e konferencës, sekretari shtetëror Valmir Aziri, realizoi takim bilateral me zëvendësministren e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Valbona Shujaku, në të cilin u bisedua për thellimin dhe zhvillimin e mundësive të reja të bashkëpunimit në pjesën e kulturës ndërmjet të dyja vendeve, si dhe mundësinë për hapjen e qendrave të kulturës në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Aziri u takua dhe bisedoi edhe me kolegen e tij, Maria Andreadaki Vllazaki, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Kulturës dhe Sportit të Greqisë, ku u shkëmbyen mendimet për të thelluar bashkëpunimin në pjesën e kulturës ndërmjet të dyja vendeve, ndërsa dërgoi edhe ftesë të hapur për të vizituar vendin tonë.

Kryesinë e Këshillit të Ministrave të Kulturës së Evropës Juglindore në kuadër të Platformës Rajonale të Evropës Juglindore – KOMOKOSE (CoMoCoSEE), vitin tjetër e merr Republika e Kroacisë.

Marketing