Kreu i Aleancës për Shqiptarët(ASH), Ziadin Sela dhe kreu i krahut tjetër të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi nuk kanë qenë të pranishëm në takimin e zhvilluar mbrëmë të liderëve të partive që mbështesin dhe do të bëjnë fushatë pro referendumit për emrin, informon INA.

Dy liderët e këtyre dy partive nuk janë parë në takim, ndërsa jozyrtarisht mësohet se mosprania ka qenë për shkak të angazhimeve të tyre partiake në terren dhe udhëtimeve jashtë vendit.

Nuk ka pasur përgjigje nga dy partitë se përse nuk kanë qenë në këtë takim. ASH dhe Lëvizja BESA e Gashit kanë bërë të qartë se mbështesin referendumin për emrin dhe se do të bëjnë thirrje që elektorati i tyre të dal në votime.

Megjithatë ASH përmes një deklarate të fundit ka theksuar se pas referendumit do të kërkojë marrëveshje maqedonaso- shqiptare dhe ndryshime kushtetuese për rregullimin e disa çështjeve të hapura siç janë përdorimi i gjuhës, heqja e emërtimit 20% për shqiptarët si dhe rregullimi i çështjes së nacionalitetit në dokumentet që sipas marrëveshjes së re të gjithë qytetarët do të evidentohen si maqedonas/shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut.