Sela:Koha për sfidën e re, barazia institucionale e shqipes

Të nderuar bashkëkombas, jemi në atmosferë festive të ditës më të ndritur të historisë së gjuhës sonë! 22 Nëntori, dita kur Kongresi i Manastirit i mbaroi punimet me sukses, do mbetet e shënuar me shkronjat e arta të kësaj gjuhe, që aq shumë u sakrifikua gjatë historisë. Kjo gjuhë perëndije, siç do shprehej Naimi ynë i madh, në mungesë të një alfabeti të njësuar origjinal që do i përshtatej gjuhës shqipe në të gjitha aspektet, me shekuj u shërbye me alfabete të huaja.

Marketing

Me gjithë mungesën e një alfabeti, gjuha shqipe, përmes rilindësve tanë, i artikuloi kërkesat e popullit shqiptar për liri e pavarësi. Edhe pse me alfabete të huaja, shpeshherë edhe të kombinuar me qëllim përshtatjeje, atdhetarët dhe shkrimtarët e periudhës së lavdishme të Rilindjes sonë, arritën t’i krijojnë veprat madhështore, përmes të cilave i kënduan kombit e Atdheut pa liri, ashtu siç i kënduan edhe gjuhës pa alfabetin e vet. Rilindësit tanë, krahas angazhimit të tyre politik në frymën e një kombi të pandarë në baza dialektore e krahinore e fetare, në vazhdimësi bënë përpjekje edhe për krijimin e një alfabeti të veçantë të gjuhës shqipe, me bazë latine.

Pas shumë sakrificash e përpjekjeve për gjetjen e një AB-je, që do i bashkonte të gjithë shqiptarët, krerët intelektualë e atdhetarë të kombit, arritën ta mbajnë Kongresin historik në Manastirin e veprimtarëve të shumtë për kauzën kombëtare. Vendimi për caktimin e një alfabeti të vetëm , nuk ishte i lehtë, por dëshira e delegatëve të ardhur nga katër anët e trevave shqiptare i bashkoi mendjet, dëshirat dhe motivet, për një alfabet të vetëm, këtë që e gëzojmë edhe sot.

Të nderuar shqiptarë, tani jemi para një sprove të re.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, i miratuar në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ështe sfidë për të gjithë ne. Është koha që edhe në këtë shtet kjo gjuhë që i kaloi kalvaret e historisë, të përdoret plotësisht e barabartë dhe zyrtare në të gjitha institucionet e pushtetit qëndror e lokal. Me jetësimin e plotë të këtij ligji, edhe ne shqiptarët, do i respektojmë krerët intelektualë e atdhetarët, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit historik.

Gëzuar Festën e Alfabetit, qoftë e bekuar gjuha jonë, qoftë i përjetshëm kujtimi për këtë datë historike!

Marketing