Selami: Padi për 245 kompani që nuk i paguan rrogat! Denonconi në 198 keqpërdorimet e punëdhënësve

Drejtoriа e të Hyrave Publike ka hapur procedura për 245 kompani të cilat për muajin nëntor të vitit që lamë pas nuk kanë paguar rroga për punëtorët e tyre edhe pse kanë marrë paratë nga pakoja ekonomike e qeverisë.
Zëvendësdrejtori, Abdul Selam Selami, sqaron se dokumentacionin e grumbulluar e kanë dorëzuar te Sekretariati Gjeneral i Qeveri, prej ku do të dorëzohen në Prokurori.
“Për fat të keq ky trend po vazhdon edhe me pakon e katërt ekonomike. Ne si Drejtori e të Hyrave Publike kemi pjesën e pagesës së rrogave për punëdhënësin, i kemi 245 punëdhënës që për muajin nëntor nuk kishin paguar rroga, për të cilat janë hapur procedura. Ne si Drejtori e të Hyrave Publike, procedurat tona i kemi kryer dhe i kemi dorëzuar në Sekretariatin Gjeneral në Qeveri dhe prej aty do hapet padi penale në Prokurori dhe ne do vazhdojmë me inspektime për të gjitha kompanitë që nuk kanë pagur rroga për punëtorët.”,- deklaroi zëvendësdrejtori i DAP-it, Abdul Selam Selami.
Selami apelon te qytetarët dhe punëtorët që në numrin 198 të denoncojnë kompanitë të cilat shkelin rregullat për shfrytëzimin e ndihmës financiare nga pakoja e katërt e qeverisë që është e dedikuar për të punësuarit.
“Denoncime nga qytetarët kemi në çdo kohë nëpërmjet numrit 198 që është numër për të denoncuar për shkelësit. Njëjtë edhe nëpër drejtoritë rajonale në çdo kohë kemi paraqitje apo denoncime. Apeloj te qytetarët por edhe te punëtorët që të denoncojnë në DAP të gjitha keqpërdorimet nga ana e punëdhënësve dhe do të bëjmë inspektime te të gjithë ata që do të shkelin ligjin dhe nuk do paguajnë paga për punëtorët e shtetit, pra Qeveria për momentin e ndihmon sektorin privat që punëtorët mos të lëshohen nga puna.”,- tha zëvendësdrejtori i DAP-it, Abdul Selam Selami.
Selami njëherit thekson se sipas të dhënave të Drejtorisë për të Hyra Publike, në tre muajt e fundit të vitit 2020 në kuadër të pakos së katërt të Qeverisë kanë përfituar 35833 të punësuar.