Senati bllokon kandidaten për ambasadore të SHBA në Tiranë

Kandidatura e Kathleen Ann Kavalec, e emëruar si ambasadore e SHBA në Tiranë, i është kthyer presidentit Donald Trump.
Sipas ndihmësve në komisionin e senatit amerikan për çështjet e jashtme, kandidatura e zonjës Kathleen Ann Kavalec, e emëruar si ambasadore e SHBA në Tiranë, i është kthyer të enjten Presidentit Donald Trump.

Marketing

Zonja Kavalec u emërua nga Presidenti Trump në korrik 2018 dhe qysh ajo kohë, kandidatura e saj ka qenë në pritje për t’u konfirmuar nga komisioni i senatit.
Zonja Kavalec, ishte parashikuar të dilte në një seancë në senat në muajin shtator, si pjesë e procesit të konfirmimit, por përfundimisht nuk dëshmoi dhe emri ishte hequr nga njoftimi për seancën.

Një javë para seancës emri i saj ishte përmendur në një artikull të gazetës Washington Examiner që kishte të bënte me komunikimet e një zyrtari të Departamentit të Drejtësisë me ish-agjentin britanik Christophet Steele. Steele u dorëzoi agjencive amerikane të zbulimit një raport për lidhje të mundshme të fushatës Trump me rusët.

Emri i zonjës Kavalec ende figuron në faqen e Shtëpisë së Bardhë si e emëruar për postin.

Sipas rregullave të Senatit, kur koha e pritjes për konfirmim i kalon të 30 ditët, kandidatura i kthehet presidentit, por komisioni i senatit mund ta anashkalojë këtë rregull me një votë konsensuale.

Kandidatura e zonjës Kavalec ka qenë një prej rasteve me pritjen më të gjatë për konfirmim nga ato që i janë paraqitur komisionit të senatit.

Nuk është e qartë se përse komisioni i senatit nuk e ka marrë në shqyrtim kandidaturën. /VOA

Marketing