Senatorja franceze, Elen Konve-Mure sot dhe nesër në Shkup

Sot dhe nesër, më 4 dhe 5 nëntor në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) do të qëndrojë për vizitë zyrtare senatorja franceze, Elen Konve-Mure.

Marketing

Sot, në ditën e parë të vizitës, 4 nëntor, do të realizojë takime me kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi, me nënkryetarin, Goran Misovski, me grupin e miqësisë RMV-Francë, me kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Hari Lokvenec dhe me kryetarët e komisioneve kuvendore për politikë të jashtme, Antonio Milloshoski, për çështje evropiane Artan Grubi.

Në vazhdën e vizitës, senatorja franceze do të marrë pjesë edhe në konferencën e Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kushtuar zhvillimit të mbrojtjes evropiane.

Ndërkaq nesër, më 5 nëntor ajo do të vizitojë varrezat e ushtarëve francezë në Shkup dhe Shtëpinë Përkujtimore-Muzeun, që u hap në maj të vitit 2018, për të nderuar 3000 ushtarët e rënë për Francën, të cilët prehen aty.

Elen Konve-Mure ka marrë pjesë në hartimin e projekt-ligjit, që autorizon ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut, në lidhje me pranimin e RMV-së.

Kjo vizitë është pjesë e Strategjisë Franceze për Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet e besimit dhe miqësisë, që ndërlidhin Senatin Francez me Kuvendin e Maqedonisë, dhe me qytetarët në tërësi. Vjen pasi RMV-ja nuk arriti të marrë datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, pasi presidenti francez, Emanuel Makron ka refuzuar çfarëdo progresi në zgjerimin derisa nuk ndryshon metodologjia e procesit negociues, reformë e cila mund të zgjas me vite dhe për të cilën Parisi nuk jep përgjigje konkrete se si duhet të duket. Siç sqaroi ambasadori i Francës, Kristian Timonie, këtë metodologji Makroni do ta sqarojë gjatë vizitës që do ta realizojë në kryeqytetin e RMV-së, Shkup dhe kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Marketing