Korniza investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) do ta përkrahë Serbinë me 5,5 milion euro mjete të pakthyeshme për përpilimin e dokumentacionit projektues-teknik për ndërtimin e unazës rreth Nishit dhe modernizimin e hekurudhës Nish-Preshevë-kufiri me Maqedoninë, informuan sot nga Ministria serbe e Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrastrukturës.

Bordi Drejtues i kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor vendimin për përkrahje financiare për përgatitjen e dokumentacionit teknik për këto dy projekte, e ka sjellë në propozimin e kësaj Ministrie.

Nga vlera e tërësishme, dy milion euro janë miratuar për përpunimin e projektit për leje ndërtimore për hekurudhë njëdrejtimëshe rreth Nishit, si pjesë e modernizimit të hekurudhës së Korridorit 10 nga Nishi në Dimitrovgrad.

Vlera prej 3,5 milion euro është ndarë për përpunimin e projektit të ardhshëm me studim të fizibilitetit për arsyshmërinë dhe vlerësimin e ndikimit ndaj mjedisit jetësor për modernizimin e hekurudhës Nish-Preshevë-kufiri me Maqedoninë.