Serie A dhe koronavirusi/ Mund të shtyhen sfidat e javës së 26-të, ndeshje pa tifozë

Ndeshjet e radhës së Serie A mund të shtyhen të gjitha për shkak të koronavirusit.

Marketing

Ishte kryeministri italian Giuseppe Conte që e konfirmoi këtë mundësi në një intervistë në programin “Non e’ l’Arena” teksa theksoi se nuk është e mundur që në 1 javë të reduktohet përhapja e virusit aq sa për të zhvilluar normalisht evenimentet sportive, kështu që do të shihet mundësia e shtyrjes së ndeshjeve të javës së 26 ndërkohë që situata do të monitorohet vazhdimisht.

Ndërkaq, në Friuli-Venezia Giulia, autoritetet bënë të ditur pezullimin e të gjitha evenimenteve sportive në këtë rajon të parashikuara për t’u zhvilluar nga kjo e hënë deri në 1 mars. Kjo do të thotë që sfida e së shtunës mes Udineses dhe Fiorentinës të konsiderohet e shtyrë.

Ndërkaq, në këto orë në Itali po diskutohet edhe një opsion tjetër; ajo e zhvillimit të ndeshjeve të Serise A me dyer të mbyllura. Ai që e ka përmendur një opsion të tillë ishte ish presidenti i Komitetit Olimpik Italian dhe Federatës Italiane të Futbollit Franco Carraro. Ky i fundit ka kujtuar se është e rëndësishme që të luhen ndeshjet e Serie A duke qenë se ato janë të lidhura me kalendarin e kompeticioneve ndërkombëtare dhe për këtë duhet marrë një vendim brenda 48 orëve. Carraro shtoi se gjithsesi, vendimi përfundimtar në këtë pikë do të merret nga qeveria dhe autoritetet e tjera.

Me dyer të mbyllura mund të luhet edhe sfida e Europa League mes Inter e Ludogorets e programuar të enjten e ardhshme. Kjo edhe për faktin se me këtë kalendar të ngjeshur do të jetë shumë e vështirë për të gjetur një datë të lirë për të shtyrë këtë ndeshje