Serie A, Juve për të harruar humbjen ndërsa Interi për të garantuar Champions

Në stadiumin “Dall’Ara” të qytetit të Bolognës, do të zbresë Juventusi, që vjen pas asaj humbjeje të rëndë 2-0, në transfertën madrilene përballë Atleticos së Madridit, në sfidën e vlefshme për Ligën e Kampionëve.

Marketing

Bardhezinjtë dominojnë kampionatin italian dhe nuk njeh “shijen” e humbjes, kur kanë kaluar 24 javë, ndërsa kanë krijuar edhe një distancë prej 13 pikësh ndaj Napolit të vendit të dytë. Megjithatë trajneri Allegri ka bërë thirrje që skuadra të reagojë dhe të tregojë se pjesa e dytë në “Wanda Metropolitana” ishte vetëm një “ëndërr e keqe”.
Nga ana tjetër, Bologna lufton për mbijetesë dhe me uljen në stol të Sinisa Mihajloviçit, gjërat kanë ndryshuar dhe besimi është rritur ndjeshëm, ndaj emilianët janë gati të bëjnë maksimumin për të mos dalë pa pikë nga ky takim.

Po nga kampionati italian, në orën 18:00 do të vijë një tjetër sfidë mjaft interesante, përballja mes Parmës dhe Napolit, dy skuadra që janë në pozita komode në lidhje me objektivat e tyre, pro që vijojnë të dhurojnë një futboll mjaft të bukur në fushën e lojës.

Në mbrëmje vëmendja do të spostohet në “Artemio Franchi”, ku Fiorentina do të presë Interin, me zikaltrit që kanë mungesa në sulm, por që vijnë me moral të lartë, pas 4 fitoresh radhazi mes kampionatit dhe Europa Leagues.

Pa Icardin, Spalletti do të vijojë t’i besojë sulmuesit tjetër argjentinas, Lautaro Martinezit, në majë të sulmit, për të shpresuar në një tjetër fitore, që do të vijonte të mbante Interin në pozita komode në zonën Champions.
Nga ana tjetër Fiorentina bazohet te historia, pasi ndaj Interit i ka ecur gjithmonë mbarë në shtëpi dhe do të kërkojë marrjen e një tjetër 3-pikëshi, për t’u afruar edhe më shumë me zonën europiane të renditjes.

Marketing