Shabani: “Higjiena komunale” e angazhuar me tërë kapacitetin

Drejtori, Abdulsamed Shabani, potencon se çdo ditë pastrohen dhe dezinfektohen rrugët kryesore të Shkupit që janë në kompetenca të kësaj ndërmarrje, edhe pse kanë reduktim sa i përket operativës dhe administratës.

Marketing

“Kemi filluar me larje dhe dezinfektim, do të vazhdojmë gjatë gjithë kësaj periudhe, besoj se kemi të siguruara mjete dezinfektuese nga Qyteti i Shkupit, që deri në fund të muajit prill t’i harxhojmë ato mjete. Sigurisht dhe muaji maj është obligim edhe i yni edhe i Qytetit të Shkupit që të sigurojë më tepër mjete për dezinfektim dhe kjo bëhet në të gjitha rrugët kryesore, këtu kemi qenë të ndihmuar edhe nga ndërmarrjet tjera që janë: shërbimi i zjarrfikësve, ndërmarrja “Rrugë dhe Rrugica”, “Parqe dhe gjelbërime”, ata kanë vazhduar atë pjesën ku u tangon dhe është obligim i tyre që ta mirëmbajnë jo vetëm pastrimin, por të bëjnë dezinfektimin e vendeve frekuente ku lëvizin qytetarët.”,- deklaroi drejtori i Ndërmarrjes “Higjiena Komunale”, Abdulsamed Shabani.

Shabani thotë se “Higjiena Komunale” vazhdon me punën e saj edhe në rrethana kur punohet me afat të shkurtër në bazë të masave të qeverisë.

“Në bazë të rekomandimeve që na vijnë dhe vendimeve që merren nga qeveria dhe Qyteti i Shkupit, do të vazhdojmë me punën edhe pse është e reduktuar, por prioriteti ynë ka qenë që njëherë në 24 orë të bëhet mbledhja dhe transportimi dhe pastrimi i enëve për mbetje në gjithë Qytetin e Shkupit. Për momentin diku mbi 500 ton mbetje të llojllojshme po mblidhen dhe transportohen në deponinë “Drislla” nga “Higjiena Komunale” dhe nuk është pak edhe pse është një afat shumë i shkurtër kohor, mirëpo besoj se nëse do të ketë ndonjë reduktim shtesë, qytetarët do t’i informojmë me kohë.”,- tha drejtori i Ndërmarrjes “Higjiena Komunale”, Abdulsamed Shabani.

Ai njëherit theksoi se të punësuarit e kësaj ndërmarrjeje kanë pajisje adekuate për t’u ballafaquar në këtë situatë dhe për të mbrojtur shëndetin e tyre.

Marketing