Shabani: NP Higjiena Komunale e gatshme për fundjavën e zgjatur

Gërmadhat e bërllokut, të cilët e vërshuan Shkupin, gjatë vikendit që e lamë pas nuk do të përsëritën në këtë fundjavë. Autoritet përkatëse i kanë ndërmarrë të gjitha masat që pamjet e zymta të vikendit të fundit të mos shfaqen më. Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” – Shkup, Abdusamed Shabani, për gazetën KOHA, shprehet se ekipet e tyre nga e hënë punojnë me orar të rregullt dhe kështu do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës.

Marketing

“Tre turnet e ‘Higjienës Komunale’ do të jenë aktive gjatë vikendit që vijon, përfshi edhe ditën e hënë kur është ditë jo punë. Nuk do të përsëriten pamjet e kaluara”, tha drejtori Shabani, duke apeluar që qytetarët të kujdesen për llojin e bërllokut të cilët e hedhin në kontejnerë, respektivisht mos të lihet bërlloku jashtë kontejnerëve grumbullues.

Vendimi i Qeverisë për ta futur në karantinë gjithë shtetin në vikendin e kaluar, si rezultat i masave për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19, shkaktoi “kaos ekologjik” në Shkup. Çdo lokacion ku ishin të vendosur kontejnerët dhe shportat për bërllok i ngjasonin një deponie të madhe. Të ballafaquar me një situatë të tillë qytetarët i vërshuan rrjetet sociale me shpërndarjen e fotografive nga bërlloku i shumtë.

Vlerësimi i gabuar i situatës me orën e plotë policore gjatë vikendit, ndikoi që nëpunësit e “Higjienës Komunale”, të grumbullojnë 1 mijë ton bërllok, (700 tonë më tepër nga bërlloku i zakontë) i mbledhur gjatë kohës së karantinës 60 orësh. Sipas tyre këtë periudhë shumë qytetarë e kanë shfrytëzuar për pastrimin e shtëpive dhe bodrumeve të tyre.

Në dhjetë komunat e Shkupit, të cilat i mbulon “Higjiena Komunale”, janë të vendosur po thuajse 6 mijë kontejnerë dhe qindra shporta për bërllok. Këto mjete për mirëmbajtjen e pastërtisë në kryeqytet shpesh herë shndërrohen në enë për hedhjen e mbetjeve ndërtimore dhe mobileve. Kultura e ulët qytetarë sipas shumë ekologjistëve është faktor kyç në ruajtjen e mjedisit jetësor.

Fakt tjetër i cili po ashtu është i rëndësishëm për pastërtinë në kryeqytet dhe më gjerë është hedhja e pakontrolluar e bërllokut. Apelet dhe rekomandimet e “Higjienës Komunale”, që qytetarët bërllokun ta hedhin gjatë orëve të natës, me qëllim që enët gjatë ditës të jenë të pastërta dhe të zbrazura gati aspak nuk respektohen.

Ndryshe, me vendim të Qeverisë, për shkak të Festës së Pashkëve, e cila është festohet këtë vikend, qytetarët do ta kenë të ndaluar të qarkullojnë nga dita e premte në ora 16:00 e deri në ditën e martë në ora 05:00.

Marketing