Shala: Shpresojmë të paraqitemi mirë në Lituani

Kosova U-19 është në grupin A të kualifikueseve për Kampionatin Evropian në hendboll (femrat) dhe pretendon rezultate sa më të mira në grup. Trajneri i Kosovës U-19, Faruk Shala, tha se do të përgatiten maksimalisht për kualifikueset që do të luhen në Lituani nga data 12 korrik e deri me 23 korrik të vitit 2019. Ai shprehet megjithëse janë rivalet e forta në grupin e tyre, shpreson në fitore.

Marketing

“Ne e kemi përgatitur planin së bashku me selektorin Agron Shabani, që do ta kemi edhe mbështetjen e tij në ecurinë e përgatitjeve sa më të mira për sfidat që na presin në Lituani, dëshira është që të paraqitemi sa më mirë. Përzgjedhja e hendbollisteve të Kosovës është bërë gjatë fazës përfundimtare të garave dhe vizitave që i ka pas selektori te të gjitha skuadrat, është bërë një përzgjedhje e gjerë prej një grupi më të madh të lojtareve, këtij grupi i bashkohen edhe hendbollistet që vijnë nga diaspora në fund të këtij muajt dhe fillimin e muajt tjetër. Do të kemi grumbullimin dhe do të fillojmë përgatitjet specifike, për turneun kualifikues. Nga ky grup i gjer i hendbollisteve do të përzgjedhën hendbollistet që në atë moment do të gëzojnë formën më të mirë sportive, nivelin e dëshiruar për ne dhe do të përfaqësojnë Kosovën në këto kualifikimi, po shpresoj që deri atëherë të kompletohemi me te gjitha hendbollistet në të cilat llogarisim dhe paraqitja jonë të jetë ashtu si e dëshirojmë”, tha Shala për gazetën kombëtare “Bota sot”. Trajneri tha se ka njohuri sado kudo për rivalet. “Ndeshjen e parë e zhvillojmë me Turqinë, pastaj ndeshemi me Çekinë dhe në fund me Ishujt Faroe.

Çdo ndeshje ndërkombëtare është e rëndësisë së veçantë dhe normalisht mjaft e vështirë për të marr rezultat pozitiv, sido që të jetë, unë jam shumë optimist që për këto kualifikime do ta ndërtojmë një skuadër të mirë. Është kjo gjeneratë që ka marr pjesë edhe në të kaluarën në gara të këtij niveli, normalisht me disa ndryshime, shpresoj që paraqitja do të jetë e mirë.

Deri në muajin korrik do të kemi mundësi të studiojmë edhe lojën e skuadrave kundërshtare dhe do të na ndihmon të kemi paraqitjen sa më të mirë, të kërkojmë edhe rezultat pozitiv”, tha ai. Ku shpresoni se mund të fitoni pikë? “Asnjëra ndeshje nuk do të jetë e lehtë, por më shumë shpresoj tek ndeshja me Ishujt Faroe dhe Turqinë që mund të dalim me rezultat pozitiv”, përfundoi Shala.

Marketing