Mesfushori Xherdan Shaqiri, mendon se përvoja që ka për triumfin në gara të ndryshme do t’i ndihmojë Liverpoolit ta fitojë titullin e Premierligës këtë sezon. Për herë të fundit, Liverpooli e fitoi ligën në sezonin 1989/1990, atëherë kur liga njihej me emrin First Division.

Futbollisti i Kombëtares së Zvicrës, me origjinë shqiptare, u transferua në Liverpool gjatë afatit kalimtar të verës. Ai u largua nga skuadra e Stoke Cityt, pasi që ata kishin rënë nga Premierliga në Championship.

Shumë gazetarë dhe analistë të sportit kanë thënë se skuadra e Jurgen Kloppit është e vetmja skuadër që mund ta sfidojë atë të Pep Guardiolës, të cilët janë kampionët aktualë.

Edhe pse legjenda e Manchester Unitedit, Gary Neville, e ka kritikuar Shaqirin për sjelljen e tij, ky i fundit mendon se ai mund t’i ofrojë Liverpoolit atë që i nevojitet për të triumfuar në Premierligë.

“Qëllimi është që klubi të fitojë tituj, ky është qëllimi i skuadrës sonë. Ne duhet të tentojmë ta fitojmë çdo ndeshje. Pastaj duhet ta largosh nga mendja ndeshjet e kaluar që e ke fituar dhe të mendosh: ‘Në rregull, tani do të shikojmë përpara dhe ta fitojmë ndeshjen e radhës’. Kështu fitohen titujt dhe shpresoj se do ta bëjmë këtë gjë këtë sezon”, ka thënë Shaqiri.

“Pikë së pari, ne dëshirojmë të luajmë futboll shumë të mirë. Por, ne gjithashtu e kuptojmë se jo gjithmonë fiton skuadra që luan më mirë, kështu që ne duhet të mësojmë si t’i fitojmë ndeshjet, kjo është e rëndësishme, dhe si të garojmë me skuadrat e tjera”.

“Si lojtar, unë dua ta shfaq talentin tim. Shumica e lojtarëve veçse më njohin mua nga Premierliga dhe për shkak të Bayern Munichut. Unë kam mjaft shumë përvojë”.

“Kam fituar shumë tituj me Bayernin dhe dua të tentoj t’ia jap këtë përvojë skuadrës së Liverpoolit, që është ende shumë e re në moshë. Për këtë arsye, unë do të tentoj t’i ndihmoj për të fituar tituj”.