SHBA, 50.000 punonjës të General Motors në grevë

Afërsisht 50 000 punonjës të industrisë automobilistike janë sot në grevë, pasi sindikata e tyre dhe General Motors (GM) nuk arritën një marrëveshje mbi pagat dhe rritjen e punësimit.

Marketing

Bashkimi i Punonjësve të Industrisë Automobilistike votuan të dielën që të dilnin në grevë, duke kërkuar një pjesë të fitimeve dhe të ardhura më të mira, duke thënë se punëtorët kanë kontribuar në rimëkëmbjen e GM, pas kolapsit të vitit 2008 dhe meritojnë një shpërblim më të mirë.

Për më tepër, kostoja e kujdesit shëndetësor është kthyer në betejë kyçe mes udhëheqjes së GM dhe sindikatës. Kompania dëshiron të frenojë shpenzimet për kujdesin shëndetësor, ndërsa punëtorët nuk duan të paguajnë më shumë.

Gjatë një deklarate, GM tha se u kishte bërë punëtorëve një ofertë, sipas të cilës ata do të kenë më shumë përfitime, paga më të mira, investime në impiante të reja dhe lehtësira të tjera.

Kjo është greva e parë e punonjësve të GM, që pas vitit 2007, kur ata organizuan një protestë dyditore.