SHBA-ja dënon një maqedonas dhe një rus për krime kibernetike

Nën akuzat për përfshirje në krime kibernetike të nivelit ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara kanë dënuar me burgim një rus dhe një maqedonas. Rrjeti në të cilin ishin të përfshirë këta dy persona është përgjegjës për vjedhjen e 568 milionë dollarëve në të gjithë botën, tha Departamenti i Drejtësisë në SHBA.

Marketing

Sergei Medvedev, 33 vjeç, nga Rusia dhe Marko Leopard, 31 vjeç, nga Maqedonia e Veriut, u dënuan me 10 vjet përkatësisht me 5 vjet burgim. Më parë ata ishin deklaruar fajtorë nën akuzën e konspiracionit mashtrues.

Medvedev ishte një bashkëthemelues dhe administrator i Infraud, një “ndërmarrje kriminale në internet që ekzistonte për të pasuruar anëtarët dhe bashkëpunëtorët e saj përmes një morie veprimesh kriminale të vjedhjes së identitetit dhe mashtrimit financiar”, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë. Ai u arrestua në Tajlandë në vitin 2018.

Leopard ndihmoi në shitjen e mallrave dhe shërbimeve të paligjshme në internet për anëtarët e Infraud.

“Shpartallimi i një organizate të krimit kibernetik siç është Infraud kërkon ndjekjen jo vetëm të atyre që vjedhin, shesin dhe përdorin të dhëna personale, por edhe të atyre që ofrojnë infrastrukturën që lejon veprimin e organizatave të krimit kibernetik “, tha njëri nga prokurorët amerikan, Nicholas L. McQuaid.

Ky rrjet në kulmin e aktivitetit të tij kishte 10.000 anëtarë dhe ata vepronin nën moton “Në mashtrim ne besojmë”.

Marketing