SHBA, Washington për herë të parë kampion në hokej

Për herë të parë në 44 vjet Kupa Stanley vjen në Uashington, pas fitores dje të ekipit të hokej në akull, The Washington Capitals kundër ekipit Vegas Golden Knights. Ndeshja u zhvillua në Las Vegas, por kryeqyteti amerikan ishte i mbështjellë në ngjyrat e ekipit, ndërsa tifozët ndiqnin nga klube e restorante finalen emocionuese.

Marketing

Mijëra tifozë ishin mbledhur brenda dhe jashtë arenës së hokejt në Washington për të ndjekur ndeshjen që po zhvillohej në Las Vegas dhe pasi u bë e ditur fitorja, tifozët u derdhën në rrugë dhe filluan festimet që zgjatën gjithë natën.
“Qyteti e meriton këtë fitore. E bukura e kësaj fitoreje është se po na bashkon. Kishim nevojë për këtë. Sidomos në këtë klimë ku ka shumë përçarje, ky ishte një moment fantastik,” thotë tifozi Alex Lagos.

Kapiteni i ekipit Alex Ovechkin, i cili u shpall si lojtari më i mirë i kampionatit foli për krenarinë që ndjen për fitoren, pas 13 sezonesh me ekipin e Uashingtonit: “Më duket si ëndërr. Ishte një sezon i gjatë dhe i vështirë, luftuam shumë, punuam shumë gjithë këto vjet. Punuam si ekip, u dhamë me shpirt pa menduar se si do të dalë në fund. Nuk ramë në panik. Pas pjesës së tretë të ndeshjes e dinim se duhet të vazhdonim që ta çonim deri në fund.”

Marketing